Maqedonia Veriore nuk ndryshon orën? Orë verore edhe gjatë dimrit

Maqedonia e Veriut po shikon mundësinë e vazhdimit të orës edhe gjatë dimrit.

Ministria e Ekonomisë atje është detyruar nga ekzekutivi të shqyrtojë rrugët sesi të vazhdojë të aplikohet kjo lloj ore, e të shfuqizohet rregulli për ndryshimin e saj në dimër.
Pasi të analizojë të gjitha mundësitë, Ministria e Ekonomisë duhet të dorëzojë informacionin në qeveri e më pas, do të merret vendimi.

Për t`i dhënë fund ndryshimit të orës mes verës dhe dimrit, Komisioni Europian propozoi 4 vite më parë një ndryshim ligjor .
Organi ekzekutiv i BE-së do ta linte në dorën e qeverive në mbarë bllokun për të rënë dakord nëse do të përdorin përgjithmonë kohën e verës apo atë të dimrit. Propozimi parashikonte që tetori i vitit 2019 të ishte hera e fundit që europianët do të duhet të rregullonin orët e tyre.
Por kjo nuk ndodhi, për shkak se nuk pati mjaftueshëm dakordësi për nismën. Asokohe ishte Finlanda që bëri thirrje kundër kësaj praktikë, për të cilën kritikët thonë se mund të shkaktojë probleme afatgjata shëndetësore, veçanërisht në mesin e fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve.
Studimet kanë treguar se ndryshimi i orës prish oraret e gjumit dhe mund të ndikojë në produktivitetin në punë. Më shumë se 80 për qind e shtetasve të BE-së duan që ndryshimi i orës, të shfuqizohet.

Top ChannelLexo me shume