(Marrëveshja) Kryetarët e bashkive nga primaret e PD-së, Partia e Lirisë kërkon këshillat bashkiakë (E PLOTË)

Berisha dhe Meta, gjatë konferencës për shtyp

Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë firmosur sot marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet vendore të 2023, duke e cilësuar si historike dhe fundin e regjimit hajdut të kryeministrit Edi Rama.

I pari në sallën e “15-katëshit” në Tiranë ka mbërritur kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm Tedi Blushi dhe deputeti Petrit Vasili.

Disa minuta më pas ka mbërritur edhe kreu i PD-së, Sali Berisha. Pas një takimi disa minuta me dyer të mbyllura, Berisha dhe Meta kanë shtrënguar duart, duke firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit në disa pika.

Berisha e ka quajtur firmosjen e marëveshjes si “ditën e ekzekutimit politik” Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Draft marrëveshja e nënshkruar mes Sali Berishës dhe Ilir Metës përcakton se si do të funksionojë koalicioni mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për zgjedhjet vendore të 2023.

Kështu sipas marrëveshjes, garimi në zgjedhet vendore do të bëhet me kandidatë të përbashkët të dalë nga procesi i primareve në Partinë Demokratike. Po sipas marrëveshjes, Partia e Lirisë synon të marrë drejtimin e këshillave bashkiakë.

Marrëveshja përmban edhe pika të tjera të dakortësuara si zhvillimi i referendumeve dhe një sërë nismash të tjera për politikat vendore.

Draft-marrëveshja PD-PL:

1.Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë;

2.Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PD dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh;

3.Këshillat Bashkiakë, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla;

4.Të angazhohen për realizimin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiakë dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve;

5.Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiakë, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare;

6.Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Berisha e cilësoi këtë si një moment historik, ndërsa u shpreh i bindur në fitoren e opozitës në Tiranë dhe të gjitha qytetet.

Berisha: Një moment historik në zhvillimin politik të Shqipërisë, moment që shënon marrëveshjen për betejën dhe fitoren e sigurtë të opozitës  në Tiranë e Shqipëri. Moment që çel rrugën për t’u dhënë qytetarëve të Tiranës, qytetarin e parë që ata meritojnë dhe njëlloj për të gjithë qytetet e vendit. Për t’i dhënë Tiranës parlamentin e vërtetë, përfaqësuesit dinjitoz të qytetarëve, për t’i dhënë Tiranës një parlament të fuqishëm, për të arkivuar në mënyrë figurative në plehrat e Sharrës, Erjon Veliajn, i cili në çdo vend e ligj i takon të jetë në qeli dhe jo në garë elektorale.

Me vjedhjet e tij monstruzoe që u ka bërë qytetarëve të Tiranës, me shndërrimin në 10 qytetet më të pista të botës, në shndërrimin e kryeqytetit në qytetin në pozicionin e 245 më të keq të shërbimit shëndetësor. Të shkojë atje ke e ka vendin, qytetarët do të godasin këtë dhe Ramën. Parlamenti inekzistent drejtohet nga një zonjë, që po të kishte një mbiemër të dytë do të quhej Romina Hije, zonja Hije, për të qytetarët nuk ekzistojnë, ajo sikur është binjake me hijen, merr fund kjo. Tirana me 800 mijë banorë do të ketë parlamentin e vet të fuqishëm. Marrëveshja ështtë historike, sepse angazhon forcat tona për primaret dhe zhvillimin e tyre që të marrë fund kryetarokracia. Qytetarët e parë të tyre të përfaqësojnë qytetarin dhe  jo kryetarin. Me Bashën vetëm humbje ka patur. Dëshmiia më flagrante është incidenti Basha, me Berishën ka vetëm fitore, kaq kisha unë.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar marrëveshjen  PL-PD, për sa i përket primareve të zgjedhjeve lokale.

Meta e cilësoi marrëveshjen me Partinë Demokratike historike ndërsa tha se nuk  ndodh në asnje vend të Afrikës që opozita të mos ketë këshilltarë në bashkitë e vendit. Kreu i PL, u shpreh se do të marrë fund njëher e përgjithmonë koha e bashkive-bunker.

“Marrëveshja më parimore që i shërben demokracinë, pluralizmit politik., Është një marrëveshje që fuqizon si Partinë Demokratike dhe partinë e Lirisë. Referendumi, primaret dhe transparenca dhe llogaridhënia bëjnë plotësisht të mundur të kemi të një vend sovran që mban nën kontroll të gjitha pushtetet. Dua të shpreh kënaqësinë më të madhe. Për sa i përket ushtrimit të së drejtës kushtetuese dua të falenderoj dhe një herë dr. Sali Berishën. Do të marrin fund njëher e përgjithmonë bunker-bashkitë. Ndaj, edhe një herë tjetër dua të shpreh bindjen që kjo është një mbimarrëveshje që do të rikthejë fuqinë e munguar shqiptarëve nga kapja e shtetit. Shpreh fitoren e padiskutueshme të opozitës, në Tiranë dhe në bashkitë e tjera.

4 vjet ku opozita s’ka asnjë këshilltar, që nuk e gjen më në asnjë vend të humbur të Afrikës. Ndaj, dua të falenderoj PD për këtë mirëkuptim të plotë dhe është i përfshirë pasi është një marrëveshje që ndiqet nga parimet e demokracisë dhe transparencës. Duke falenderuar PD, është një marrëveshje historike që do të kontribuojë në përfshirjen e të gjithë shqiptarëve jo vetëm në zgjedhje por edhe në politikbërje. “-tha Meta.

Lexo me shume