Mbi 5 miliardë celularë të paricikluar këtë vit!

Këtë vit, afro 5.3 miliardë pritet të jetë totali i telefonave të hedhur në plehra pa u ricikluar.

Shifra del nga një vlerësim i Forumit Ndërkombëtar të Mbeturinave Elektrike dhe Elektronike, ndërsa mediat botërore i bëjnë jehonë faktit që “të dhënat e tregtisë globale tregojnë për rritjen e përmasave të problemit mjedisor të shkaktuar nga “e-mbeturinat” (e-waste).
Studimet tregojnë se shumë njerëz i mbajnë telefonat e tyre të vjetër në vend që t’i riciklojnë, ndërsa llogaritet se në mbarë botën ka 16 miliardë celularë. Sipas hulumtimit të kryer nga WEEE, vlerësohet se 5.3 miliardë celularë do të jenë hedhur pa u ricikluar në vitin 2022. E jo vetëm kaq!

Deri më 2030-ën, nga lavatriçet te kompjuterët, tabletat e pajisjet e sistemit global GPS, pirgu i mbeturinave elektrike dhe elektronike parashikohet të rritet me 74 milion tonë në vit. Thuhet se miliona mallra elektrikë të papërdorur, por që funksionojnë e kanë një vlerë 5.63 miliardë paund në Mbretërinë e Bashkuar, gjenden në shtëpitë e njerëzve.
Këto pajisje ofrojnë shumë burime të vlefshme që mund të përdoren në prodhimin e pajisjeve të reja elektronike ose pajisjeve të tjera si turbinat e erës, bateritë e makinave elektrike apo panelet diellore.
Sipas ekspertëve, “riciklimi është i rëndësishëm për arritjen e objektivit të një shoqërie me emetime të ulëta të karbonit”. Top Albania Radio shkruan se pak më shumë se 17 për qind e “e-mbeturinave” në mbarë botën riciklohen siç duhet, objektivi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) është ta rrisë këtë shifër në 30 për qind, deri në vitin 2023.
Drejtori i Përgjithshëm i WEEE-së, Pascal Leroy, vuri në dukje se “duhen dhënë stimuj, si ofrimi i kutive të grumbullimit në supermarkete për të lehtësuar riciklimin, si dhe vendosja e kutive postare për të marrë pajisjet e vogla të prishura kur dorëzohen të reja e po ashtu për kthimin e mbeturinave të vogla elektronike”.

Top ChannelLexo me shume