Mbrojti Ramën, gazetarët italianë kundër Melonit: Mjaft sulmuat mediat!

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni komentoi këtë të diel në një konventë të partisë së saj që mbahej në Pescara, reportazhin e gazetarit Giorgio Mottola në RAI 3 për Shqipërinë. Meloni e konsideroi sulm të së majtës italiane ndaj Edi Ramës dokumentarin që trajtonte marrëveshjen për emigrantët.
“Më ndihmoni t’i dërgoj solidaritetin tonë Edi Ramës për linçimin vetëm për përpjekjen për të ndihmuar kombin tonë. Edhe Tele-Meloni (RAI), ju e dëgjuat atë Telemeloni apo jo? Ai krijoi një reportazh për Shqipërinë në të cilin e portretizonte atë si një narko-shtet” – tha Meloni.
Pas këtij reagimi pati komente të shumta në Itali në mbështetje të emisionit “Report” të drejtuar nga gazetari Sigfrido Ranucci.
“Përveçse mbrojtje e informacionit, shërbimit publik, gazetarisë investigative! Nga fjalët që kryeministrja Giorgia Meloni i kushtoi sot nga Pescara programit të thelluar gazetaresk të RAI-t, duket qartë se kjo duhet të ndalet. Pas dekretit bullgar tani jemi te ai shqiptar”, – shkruan në një deklaratë të saj USIGRAI, sindikata e gazetarëve të RAI-it.
“Për Giorgia Melonin, hedhja dritë mbi mënyrat se si u zyrtarizua marrëveshja me kryeministrin Edi Rama për qendrat e emigrantëve që do të ndërtohen në Shqipëri është si një “linçim” i popullit shqiptar.
Një investigim gazetaresk, i cili synon të sqarojë se si po shpenzohen paratë e taksapaguesve, nuk na duket se shkakton ndonjë ofendim ndaj popullit shqiptar, ndaj të cilit ne shprehim solidaritetin tonë se është kërkuar në mënyrë të papërshtatshme nga Kryeministrja, për arsye elektorale. Ne prisnim që do të dilte një fjalë nga qeveria në mbrojtje të gazetarisë së shërbimit publik “Made in Italy”, por është e qartë se kemi gabuar” – thuhet në deklaratë.
Fjalë në mbështetje të emisionit “Report” kanë ardhur edhe nga Presidenti i Federatës Kombëtare të Shtypit Italian (Fnsi), Vittorio Di Trapani që ka shprehur mbështetje për investigimin dhe lirinë e shtypit, citon lapsi.al. “Qeveria e sovranitetit ushqimor “Made in Italy” dhe e sovranizmit, befas bëhet ksenofile kur vjen puna për t’iu bashkuar linçimit të gazetarisë investigative dhe lirisë së shtypit. Unë jam me lirinë e raportimit” – shkroi ai në një deklaratë për mediat. ©LAPSI.al

Burimi