Menaxhimi i flukseve migratore dhe bashkëpunimimi kundër krimit të organizuar/ Tirana mikpret Ministerialin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së_6643213fa0f61.jpeg

Menaxhimi i flukseve migratore dhe bashkëpunimimi kundër krimit të organizuar/ Tirana mikpret Ministerialin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së

Kryeqyteti shqiptar mirëpret për herë të dytë brenda pak muajsh, Ministerialin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në takimin e sotëm, përgjatë diskutimeve në nivel politik dhe në nivel teknik, ministrat e Brendshëm dhe specialistë të nivelit të lartë diskutuan mbi menaxhimin e integruar të kufijve e flukseve migratore, si dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal e më gjerë në luftën kundër krimit të organizuar.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla mbajti fjalën në Konferencën Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor”.

Balla:  Eshtë kënaqësi dhe nder t’ju mirëpres në Tiranë në Ministerialin e Ballkanit Perëndimor në këtë ngjarje të rëndësishme, një forum që shënon jo vetëm një hap më tej drejt zgjidhjeve të sfidave tona të përbashkëta, por gjithashtu reflekton angazhimin dhe vullnetin tonë për bashkëpunim ndërkombëtar.
Më lejoni të falënderoj Mbretërinë e Bashkuar dhe Delegacionin e Bashkimit Europian –- që kanë mbështetur këtë Ministerial si dhe procesin e anëtarësimit gjatë gjithë rrugëtimit tonë si rajon, të cilët pavarësisht kohërave jo aq të lehta, kanë treguar vazhdimisht angazhim  të palëkundur në rajonin tonë.
Angazhimi i vazhdueshëm i partnerëve ndërkombëtarë na jep besimin se duke punuar së bashku si rajon, ne mund të ecim më shpejt dhe më fort në ambicien tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke ndarë parimet e shtetit të së drejtës së bashku si një rajon. Dhe nëse ka një çështje të veçantë, ku ne të gjithë MUND dhe DO TË bashkëpunojmë ngushtë, është menaxhimi i flukseve migratore.
Asnjë vend në rajonin tonë nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e migracionit të paligjshëm dhe kjo Konferencë sot nënkupton angazhimin tonë të përbashkët për zgjidhjet bashkëpunuese në këtë drejtim.
Duke parë atë që është arritur deri më tani në menaxhimin e flukseve migratore, sigurinë e kufijve, respektimin e të drejtave dhe lirive të migrantëve, mund të them me krenari se të gjitha vendet tona kanë fituar sot një nivel më të madh profesionalizmi si dhe kanë filluar jo vetëm të aspirojnë standardet europiane, por t’i venë në zbatim duke pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë por njëkohësisht edhe përmes bashkëpunimit rajonal.
Në vitet e fundit, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët tanë, siç janë marrëveshjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për lëvizjen e lirë, si dhe duke përballuar flukset migratore, nëpërmjet parandalimit të migracionit të parregullt  me fokus sigurinë e kufijve por edhe respektimin e dinjitetit njerëzor të migrantit.
Kjo Konferencë, e dyta në një hark kohor prej 6 muajsh, është dëshmi e vullnetit të palëkundur të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të bashkëpunuar në drejtim të adresimit të sfidave të migracionit.
Gjatë vitit të kaluar, Agjencitë ligjbatuese shqiptare kanë dokumentuar një sërë aktivitetesh të paligjshme që variojnë nga trafikimi i qenieve njerëzore deri tek kontrabanda dhe krimet e tjera të rënda. Këto veprimtari jo vetëm që cënojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë,
por gjithashtu kanë një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve tanë dhe padyshim turizmit që po kthehet në motorin ekonomik të vendeve tona.
Të nderuar pjesëmarrës,
Shqipëria prej dy vitesh tashmë po kthehet një destinacion turistik i preferuar nga shumë qytetarë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian por jo vetëm.
Mbarëvajtja e një sezoni turistik të qetë dhe të sigurt për të gjithë turistët që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin apo rajonin tonë mbetet prioritare.
Në këtë kontekst roli i autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për sigurinë dhe rendin publik është më jetik se kurrë.
Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku, të ndajmë informacione dhe të koordinojmë përpjekjet në mënyrë që të jemi gjithmonë një hap përpara atyre që synojnë të cënojnë sigurinë tonë.
Në kontekstin e këtyre sfidave, më lejoni të veçoj bashkëpunimin me FRONTEX i cili ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë për menaxhimin e kufijve dhe luftimin e migracionit të parregullt.
Përmes partneritetit me FRONTEX, ne kemi arritur të rrisim ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare,
të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar.
Ky bashkëpunim ka lejuar jo vetëm një vëzhgim më të mirë të kufijve, por edhe një përgjigje më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj çdo lëvizje të dyshimtë.
Strukturat e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë kanë punuar me përkushtim dhe këmbëngulje për parandalimin, identifikimin dhe adresimin e fenomenit të migrimit të parregullt ku përfshihen qytetarë nga vendet e përfshira në konflikt dhe më gjerë.
Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Por me gjithë masat e ndërmarra çështja e migrimit të parregullt përmes Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë e vazhdueshme nga të gjitha shtetet tona që duhet adresuar.
Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në nivel operacional,
duke organizuar më shumë aktivitete hetimore dhe goditjen e rrjeteve të kontrabandimit,
në nivel rregullator, duke përmirësuar kuadrin tonë legjislativ dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me vendet e treta për ripranimin,
por edhe duke përdorur platforma për të ndarë të dhëna në kohë reale për të dhënë zgjidhje të shpejta dhe efektive për sfidat e zakonshme.
Por nga ana tjetër duhet vlerësuar dhe realiteti aktual se shumë migrantë janë të detyruar të ndërmarrin rreziqe të jashtëzakonshme për shkak të rrugëve të kufizuara ligjore dhe mungesës së alternativave të qëndrueshme në vendet e tyre.
Për këtë arsye nevojat e atyre që mbërrijnë në kufijtë tanë duhet të adresohen me dinjitet dhe respekt.
Kjo përfshin ofrimin e aksesit në procedurat e azilit, asistencën ligjore dhe shërbimet mbështetëse, si dhe promovimin e integrimit të tyre në shoqëri.
Gjatë muajit shtator 2023 finalizuam me sukses në Tiranë Ministerialin e ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit,
nga punimet e së cilit më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se dakordësuam të kemi një qasje më të fortë në menaxhimin e integruar të kufijve,
përfshi këtu zhvillimin e strategjive, bashkërendimin e mëtejshëm të nismave ndërmjet vendeve të Ballkanit perëndimor dhe nevojën për një mbështetje më të fortë nga BE, për fuqizimin e kapaciteteve, procesin e dixhitalizimit dhe sigurisë së kufirit dhe migracionit.
Domosdoshmëri mbetet edhe mbështetja e mëtejshme nga partnerët europianë për ndërtimin e sistemeve të shkëmbimit të informacionit, veprimeve të përbashkëta dhe analizës së riskut për të monitoruar kufijtë në formë efektive dhe kontrolle të krimeve të kalimit kufitar.
Në përfundim, le të rikonfirmojmë angazhimin tonë për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Përpjekjet tona të përbashkëta në këtë konferencë duhet të shërbejnë si një nxitje për veprime të mëtejshme dhe për bashkëpunim të thelluar.
Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët ku siguria dhe prosperiteti janë të garantuar për të gjithë qytetarët tanë.

Top Channel

Burimi