“Merr 4 mijë euro për parcelë”/ Shefi i komisariatit rrëzon akuzat e administratorit në Vaun e Dejës për kanabisin: Erdhën grupe nga Tirana dhe nuk gjetën gjë

Mark Zhuri, zyrtar i Bashkisë së Vaut të Dejës dhe administrator i Njësisë Temal, i ka dërguar një shkresë zyrtare kryeministrit Edi Rama dhe kërkon të merren masa për shefin e Komisariatit të Policisë. Ai thotë se Bardhyl Saliu ka lejuar kultivimin e hashashit në territorin e Bashkisë.

Referuar dokumentit që i është dërguar kryeministrit, shefi i Komisariatit të Vaut të Dejës u merr nga 4 mijë euro trafikantëve, për një parcelë me kanabis, duke garantuar mosprekjen e saj. Ai shkruan se edhe ata që ndërtojnë pa leje, lejohen në këmbim të “faturës” deri në 2 mijë euro.

Denoncimin, administratori Mark Zhuri e ka bërë në fillim të gushtit, më datë 2, ia ka dërguar kryeministrit Edi Rama, ministrit Çuçi dhe ish-drejtorit Gledis Nano. Në kushtet kur nuk ka marrë asnjë reagim, ai është detyruar që ta bëjë denoncimin në Facebook e më pas në media.

Administratori i Njësisë Temal, Vau i Dejës, është shprehur se pak ditë më parë është kërcënuar nga Shefi i Komisariatit, Bardhyl Saliu, pas denoncimeve dhe shkresave që ai u ka dërguar institucioneve përgjegjëse.

Bardhyl Saliu, shefi i Komisariatit të Vaut të Dejës, ka reaguar pas akuzave që janë bërë ndaj tij nga Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë, Mark Zhuri. Ky i fundit ka bërë kallëzim në Prokurori dhe i ka dërguar një shkresë Ramës, ku thotë se shefi i Policisë mes 4 mijë euro për një parcelë me hashash.

Në një reagim për Ora News, shefi Bardhyl Saliu ka thënë se akuzat janë të pavërteta dhe për këto, ai ka bërë një kallëzim penal në Prokurori më datë 9 shtator 2022, ndaj Sekretarit të Bashkisë, Mark Zhuri.

Referuar deklarimit të tij në media, Saliu është shprehur se grupe të posaçme policore kanë shkuar nga Tirana në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës dhe kanë kryer kontroll të imtësishëm të territorit. Shefi i Komisariatit thotë se nga këto kontrolle nuk ëhstë evidentuar asnjë parcelë.

“Nuk kam ndërmend të merrem me akuza e kundërpërgjigje të tilla, kam 37 vite në Policinë e Shtetit dhe jam në këto detyra me integritet pa ndihmën e askujt, por duke dhënë kontributin tim profesional”, ka thënë kryepolici.

Nga ana tjetër, Mark Zhuri i cili ka qenë për katër mandate kryetar i Komunës Temal, më pas administrator dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Vaut të Dejës, është shprehur sot për mediat se ka pasur dhe komunikime me kreun e AMP Ardi Veliu, për rastin.

Lexo me shume