Mesazh për Velian? Rama: Do ti lëshoj të gjithë ata që kapen në korrupsion

Gjatë një takimi me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar, kryeministri Edi Rama sulmoi qeverinë Berisha të më shumë se një dekadë më parë, për të përcjellë mesazhin se shumë aspekte janë përmirësuar që prej asaj kohe.
Këtu ai përmendi, sigurinë, arsimin, lirinë e protestave, drejtësinë apo korrupsionin, edhe më vonë gjatë fjalës së tij pranoi se “korrupsioni nuk është zmbrapsur aty ku s’mund të jetë më një kërcenim i vazhdueshëm për Shqipërinë”.
Fjalimi e vijon duke përcjellë mesazhin e shumë përdorur që mund të përmblidhen në fjalinë “kemi bërë shumë, kemi akoma shumë për të bërë, por më të mirë se ne s’ka”.
Një pjesë të konsiderueshme të ligjërimit, e zuri paralajmërimi për ministrat, deputetet, kryebashkiakët apo zyrtarët e PS, për të cilët u shpreh se “do ti lëshojë” nëse zbulohet se janë të përfshirë në korrupsion.
“Kush flirton me atë armik (korrupsionin) nuk ka asnjë punë me ne. Ashtu si është zgjedhur në krye të një bashkie nëse fut duart në arkën e shtetit dhe xhepat e këtij populli, nuk është ne dhe nuk mund të kërkojnë asgjë tjetër veçse përbuzje. E thënë ndryshe çdo anëtar i kësaj familje politike që bën korrupsion është një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar por edhe i PS”, tha Rama.

“Unë nuk lëshoj vetëm djalin e vogël kur do të hidhet nga ndonjë shkëmb, por nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura më karrige kur i vjen ora të thirret… Nëse s’ke bërë gjë s’ke nevojë të mbajë as unë as PS, të mban e vërteta, ndaj lufto për të vërtetën tënde”, theksoi.
“Pastaj kur thonë Rama e ka kështu se i përdor dhe i hedh si limona të shtrydhur që nuk i duhen më e ka shumë gabim. Kush e ushqen me korrupsion krimbin e dëshirës për vetëpastrim nuk është një limon i shtrydhur që e hedh unë, por një mollë e kalbur që bie vetë”, shtoi ai.
Mbledhja e thirrur nga Rama dhe mesazhet se do të lëshojë të korruptuarit në gjirin e PS-së jepen në ditën kur protestohet për dorëheqjen dhe arrestimin e Veliajt lidhur me aferën “5D” dhe atë të inceneratorit të Tiranës. Në një pjesë të hapësirës mediatike, mesazhet e Ramës shihen si një paralajmërim për kryebashkiakun e kryeqytetit Erion Veliaj, i thirrur në SPAK të martën e kaluar si për tu pyetur si person në dijeni për procedimin penal të djegësit e Tiranës.

Burimi