Ministrat e Brendshëm në Tiranë, në fokus siguria në Ballkan dhe menaxhimi i kufijve_66435cbf19437.jpeg

Ministrat e Brendshëm në Tiranë, në fokus siguria në Ballkan dhe menaxhimi i kufijve

Tirana mirëpriti brenda pak muajve takimin  e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së në kuadër të Procesit të Berlinit. Fokus ishte siguria dhe menaxhimi i kufijve sidomos me fluksin që po përballet kontinenti i vjetër dhe rajoni në lidhje me dyndjet e emigrantëve nga vendet e konfliktit. Ministri i brendshëm Taulant Balla, tha se për vitin 2024 ka një ulje të numrit paligjshmërisë në kufi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Por me gjithë masat e ndërmarra çështja e migrimit të parregullt përmes Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë e vazhdueshme nga të gjitha shtetet tona që duhet adresuar”, tha Balla.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e ndërkombëtarëve me policinë e shtetit, Balla u shpreh se uniformat blu janë të gatshme që të përfshihen edhe në nivele operacionale për goditjen e krimit në kufij
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në nivel operacional, duke organizuar më shumë aktivitete hetimore dhe goditjen e rrjeteve të kontrabandimit, në nivel rregullator, duke përmirësuar kuadrin tonë legjislativ dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me vendet e treta për ripranimin, por edhe duke përdorur platforma për të ndarë të dhëna në kohë reale për të dhënë zgjidhje të shpejta dhe efektive për sfidat e zakonshme”,  tha Balla.
Balla u ndal edhe tek mbarëvajtja e sezonit turistik ku nënvizoi se Shqipëria është kthyer në një destinacion te preferuar nga qytetarët e BE dhe policia është angazhuar për sigurinë e pushuesve. /vizionplus.tv

Burimi