Miratohen pensionet me Italinë, mazhoranca dhe opozita bashkojnë votat në komisione

“Kundër ska, abstenim nuk ka.”
Mazhoranca dhe opozita bashkuan votat për të miratuar marrëveshjen më të rëndësishme të arritur deri më tani, ajo e njohjes së pensioneve me Italinë. Marrëveshja gjeti miratim në komisionet parlamentare dhe pritet t’i kalojë dhe parlamentit për votim.
Qeveria tha se përfitues janë rreth 500 mijë shqiptarë dhe rreth 4 mijë italianë. Marrëveshja parashikon që nuk humbet asnjë ditë punë e çdo individi në vendet respektive.
“Marrëveshja mbulon pensionet familjare, të pleqërisë, invaliditetin, papunësisë, barrëlindjen. Përfitues do të jetë edhe ai qytetarë që ka vetëm një vit punë  në shtetin fqinjë. Fokusi i marrëveshjes  është bashkimi i viteve kontributeve”, tha Olta Manjani zv/ministre e ekonomisë në komisionet parlamentare.
Për të gjithë shqiptarët dhe italianët që janë të interesuar për mënyrën e aplikimit, marrëveshja administrative do të miratohet një muaj më pas.
“Në muajin qershor ne do të miratojmë edhe marrëveshjes administrative. Do të bëjmë publike dhe udhëzimet se si do të aplikohet”, tha Manjani. 
Opozita i vuri theksin tek marrëveshja me Greqinë, dhe nevoja për të nxitur më tej negociatat.
“Për herë të parë ne u ulëm në tryezë bisedimi një vit më parë me palën greke. Patëm dy takime teknike një në Tiranë dhe një në Athinë. Tashmë jem në fazën kur pala greke të na njoftojë për datën e nisjes së negociatave, por kjo është dhe çështje vullneti”,  sqaroi Manjani.
Të dhënat flasin se si pasojë e marrëveshjeve që shteti shqiptar ka, përfitues të pensionit janë rreth 6500 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme./vizionplus.tv

Burimi