Morinho: Abraham s’po shënon? Jua tregoj unë ku qëndron problemi

Jose Mourinho mbron sulmuesin anglez, Tammy Abraham, i cili nuk ka efikasitetin e duhur para portës. Trajneri portugez theksoi në konferencën për shtypin para sfidës me Betis Sevillan që mungesa e finalizimit është problem ekipor, jo i individëve të veçantë.

“Abraham? Është një problem ekipi, nuk më pëlqen të bëj këtë lloj analize. Lojtarët e tjerë të nivelit të lartë në ekipe të tjera gjithashtu kanë momente të ngjashme, e vërteta është se ne kemi nevojë për gola për të fituar ndeshjet. Krijojmë dhe humbim shumë raste. Por ne duhet ta shohim problemin si ekip, jo të bëjmë presion mbi një lojtar të vetëm.”

Mourinho kërkon më shumë nga skuadra e tij dhe ngre lart stekën:

“Duhet të kemi më shumë disiplinë në lojën tonë, kur një ose dy lojtarë e humbin këtë disiplinë, si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse, kjo ndikon në të gjithë ekipin”.

Për dëmtimin e Dybalas, Mourinho komentoi:

“Kur folëm për Kupën e Botës dimërore, vite më parë, folëm për problemin e përgatitjes. Dhe tani e kemi këtë problem dhe duhet ta jetojmë situatën. Të pasurit mund të luajnë çdo ditë, të varfrit luajnë çdo tri ditë, më pak të pasurit janë në vështirësi, sepse duhet të luajnë të njëjtat ndeshje si të pasurit. Dhe kjo është situata që unë po përjetoj”.

Lexo me shume