Moska me sytë nga dronët kamikaze iraniane

Mediat: Ushtarët ruse po trajnohen nga Teherani

Armët moderne perëndimore përballë arsenalit të vjetëruar rus po detyrojnë Rusinë të ndryshojë taktikë në luftën e Ukrainës. Moska po shpreson tek dronët kamikazë iranianë, përdorimin e të cilëve e ka intensifikuar kohët e fundit.

E përditshmja britanike “The Sun” shkruan se ekspertët ushtarakë iranianë po trajnojnë trupat ruse të përdorin dronët Shahed-136 që komandohen nga distanca për të kryer shpërthime vetëshkatërruese me precizion në Ukrainë.

Zyrtarët ukrainas thonë se javët e fundit, rusët kanë përdorur dronët iranianë për të kryer disa sulme ndaj civilëve. Ato janë filmuar edhe në këto pamje, teksa lëvizin nëpër qiejt ukrainas dhe madje të kryejnë sulme.

Ministria ukrainase e mbrojtjes thotë se Rusia ka një arsenal prej 300 dronësh kamikazë iranianë. Plani është që të blejë mijëra të tjerë. Megjithatë, Teherani ka hedhur poshtë pretendimet se po furnizon Moskën me dronë për luftën në Ukrainë.

Agjencia e lajmeve Reuters citon burime pranë Brukselit që thonë se të Hënën, ministrat e Jashtëm të vendeve europiane do të mblidhen për të diskutuar për sanksione të mundshme ndaj Iranit që i shet dronë Rusisë.

Tv Klan

Lexo me shume