“Mu ngritën qimet përpjetë”, ambasadori Hoxha rrëfen në “Ballkan” se çfarë ndodhi në mbledhjen e “KS” në momentin kur Rusia nisi sulmin mbi Ukrainë

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, ka rrëfyer për emision “Ballkan” në Abc të gazetares Linda Karadaku, momentin e parë kur morën vesh që Rusia filloi sulmin në Ukrainë.

Hoxha tha se në atë moment po zhvillohej mbledhja e Këshillit të Sigurimit, ku Shqipëria kishte folur e para, por ajo që është më ironikja është se seanca drejtohej nga Rusia, dhe gjatë gjithë kohës ambasadori rus thoshte se vendi i tij nuk ka në plan të sulmojë.

Ambasadori Hoxha rrëfen gjithashtu se në atë moment i janë ngritur qimet përpjetë, por më pas puna ka vijuar normalisht ku Shqipëria është koordinuar me SHBA-të dhe ka kërkuar sërish fjalën në fund, për të folur mbi atë se çfarë OKB duhet të bëjë pas nisjes së sulmit.

Pjesë nga biseda:

Hoxha: Unë kam qenë i këshillit të Sigurimit, kam qenë duke folur dhe meqenëse kishim at5ë rolin e pendëmbajtësit që gjithmonë mund të flasim të parët dhe unë kisha folur i pari, kishte folur i dyti që ishte SHBA-të. Në momentin që po fliste i treti nga ekipi im nga mbrapa më thonë lexo një twitt që thoshte se sulmi ka filluar dhe ne jemi si të elektrizuar. Nuk e di nëse më janë ngritur flokët përpjetë apo jo, por kam përshtypjen që një pjesë më janë ngritur, sepse ne ishim përgatitur për skenarë të tillë. Në qoftë se do merrej lajmi që sulmi ka filluar ne do të kërkonim edhe njëherë të bënim ndërhyrje sepse ndërhyrjet tona nuk ishin në fokusin e fillimit. Ne ishim gjithmonë që të mos fillonte, duke paralajmëruar, duke thënë që gjithë qëndrimi ushtarak ka një qëndrim të caktuar, por nuk kishte filluar asgjë. Gjëja më interesante ka qenë se përveçse ne u koordinuam menjëherë me amerikanët. Unë nuk kam folur me Tiranën në atë kohë sepse i kisha instruksionet e qarta që nëse do të ndodhte ne do të mbanim këtë qëndrim. Ne do të duhej të përgatisnim edhe njëherë një ndërhyrje  për të marrë fjalën në fund, siç e bëmë. Por gjëja më interesante ka qenë që ai që drejtonte seancën që ishte vetë Rusia, ambasadori rus nuk ishte në dijeni dhe ekipi i tij e lajmëron, ai lë mbledhjen dhe shkon tek salla e presidentit për të marrë vesh, për të folur nuk e di se me kë për tu siguruar dhe kthehet dhe lajmëron që Presidenti i Rusisës ka marrë vendimin për të ndërhyrë në Ukrainë dhe bla bla bla. Ishte ndërhyrja më e sikletshme për të, sepse deri atëherë me dhjetëra herë ai pretendonte normalisht siç kanë qenë udhëzimet e tij, që Rusia i ka trupat në territorin e vet, që Rusia ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë, që Rusia s’ka asnjë synim të sulmojë, dhe ja ku jemi, Rusia kishte synim për të sulmuar Ukrainën. Ka qenë një moment i frikshëm sepse nuk dinim se çfarë do të thoshte operacion special.

Karadaku: Seanca në atë moment drejtohej nga përfaqësuesi i Rusisë dhe ai nuk e dinte që po ndodhte sulmi?

Hoxha: Unë kam biseduar me kolegët e tjerë, unë vetë nuk e kam pyetur ambasadorin rus, por bindja e të tërëve dhe të atyre që pretendojnë se dinë edhe më shumë se sa ne, të gjithë kishin bindjen se ambasadori rus nuk ishte në dijeni të fillimit të sulmit, dhe ai e ka marrë vesh siç e kemi marrë vesh ne në sallë.

/Taulant Halili/ Abcnews.al/

Lexo me shume