Mustafa thotë se vizat do të liberalizoheshin në vitin 2016 sikur ta ratifikonim Demarkacionin

Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës, ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave do të përmbyllej në vitin 2016, nëse do të ishte ratifikuar marrëveshja e kufirit me Malin e Zi.

E për këtë e ka akuzuar partinë që tani është në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje

“Në fakt as Demarkacioni nuk ka qenë kusht që e kanë pasur vendet tjera, mirëpo është shfrytëzuar rasti meqenëse është parë interesi i përgjithshëm jo vetëm i Kosovës, por edhe i stabilitetit në rajon që Mali i Zi të bëhet anëtar i NATO-s. Nuk ishte preferencë që një shtet të bëhet anëtar i NATO-s nëse nuk i ka të rregulluara të gjitha çështjet kufitare me fqinjët, prandaj ka qenë ajo kërkesë që ta bëjmë ratifikimin e marrëveshjes dhe ta marrim liberalizimin”, ka thënë Mustafa gjatë një interviste për Ekonomia Online.

“Kemi mundur ta marrim në vitin 2016, por nuk ka pasur vullnet politik nga opozita i cili po shihet edhe tani dhe jemi dëmtuar atëherë. Tani ka qenë e pritshme që nëse futemi në këtë fazë do të kemi probleme për arsye se na është tërhequr vërejtja edhe atëherë se disa vende kanë probleme të brendshme me të djathtën ekstreme ose të majtën ekstreme për ta përkrahur liberalizimin për Kosovën siç ka qenë Franca”.

Ish-kryetari i LDK-së e ka një parashikim të hidhur, thotë se liberaliizmi i vizave do të ndërlidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Tani kemi ardhë në atë situatë në të cilën na është tërhequr vërejtja edhe atëherë. Jemi paralajmëruar se nëse nuk e bëjmë punën në vitin 2016 dhe futemi në zonën e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe të zgjedhjeve të disa shteteve tjera do të kemi probleme. Tani kjo çështje është hapur dhe ka qenë e pritshme të hapet, sepse jemi në fazën e dialogut dhe tani po shfrytëzohet dialogu për të kushtëzuar, sipas meje, liberalizimin e vizave me kushtet e reja. Është jokorrekte sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe unë pres që në këtë formë do të kushtëzohemi edhe më tutje përderisa nuk bëhet një marrëveshje”.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave.

Lexo me shume