“Ndikimi i tij në Angli do të jetë masiv”, Guardiola thur elozhe për kolegun italian

Manchester City kërkon të reagojë me çdo kusht pas humbjes në “Anfield”. Kampionët presin Brighton në fushën e tyre, sfidë që fillon prej orës 16:00 (SuperSport 2). Pep Guardiola u ndal te homologu i tij në prononcimin për shtypin.

Brighton, ekip që po merr rezultate dhe po luan futboll të bukur, drejtohet nga Roberto De Zerbi pas kalimit të Graham Potter në stolin e Chelsea. Guardiola e vlerëson shumë 43-vjeçarin, një “përjashtim” nga trajnerët klasikë italianë.

Kemi folur dy-tri herë, kryesisht për futbollin, dhe jam shumë i lumtur që ai është në Premier League. Kam parë dy ndeshjet e fundit të Brighton, Roberto ka nisur të praktikojë stilin e lojës që dëshiron.

Ndikimi i tij në futbollin anglez do të jetë masiv. Mënyra se si ai i bën ekipet e tij të luajnë është kundër kulturës italiane, ai po gjen një rrugë tjetër në futboll. Një shembull i pabesueshëm ishte Sassuolo.

Nuk ka shumë rëndësi kualiteti i lojtarëve që ke, nëse beson 100% në mënyrën se si dëshiron të luajë skuadra mund t’ia dalësh. Nuk ka rëndësi se nga ia fillon, thjesht duhet të besosh te vetja dhe ajo që dëshiron të bësh.

De Zerbi mori një ekip me të cilin Graham Potter kishte bërë një punë të jashtëzakonshme. Ata janë kaq dinamikë, kanë lojtarë shumë të fortë, si MacAllister apo Gross. Në hapësira të ngushta ata janë të jashtëzakonshëm”, deklaroi trajneri i Manchester City.

Çfarë tha De Zerbi për Guardiolën? – “Për mua ai është numri një, trajneri më i mirë në botë. Do të jetë bukur të përballemi me Manchester City. Ne do zbresim në fushë për të aplikuar stilin dhe mentalitetin tonë”.

Lexo me shume