“Ndryshimet klimatike, mundësi për produkte të reja në treg, por dhe rrezik”

Flet Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i Sigma Interalbanian Vienna Insurance
 
Ndryshimet klimatike mund të cilësohen si rrezik dhe mundësi për industrinë e sigurimeve.
Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i Sigma Interalbanian Vienna Insurance, pohon se për tregun, këto ndryshime të materializuara mund të zgjerojnë gamën e produkteve që ofrohen, por njëkohësisht rritet edhe rreziku.
Më së shumti kjo ka të bëjë me faktin se ndryshimet po ndodhin shpejt dhe modelet bazohen në të dhëna historike, duke mos ofruar një pamje të qartë ndaj ekspozimit që kompanitë mund të kenë.
Në këtë kontekst, ai vlerëson se është e rëndësishme që kjo çështje të merret seriozisht nga të gjitha palët – qeveria, sektori privat dhe shoqëria civile, duke synuar minimizimin e pasojave.
 
Ndryshimet klimatike janë temë që po bëhet gjithmonë e më shumë pjesë e debatit dhe industrive të ndryshme në lidhje me rreziqet që paraqesin. Për industrinë e sigurimeve në botë, kjo mund të shihet si rrezik dhe mundësi. Për Shqipërinë, si e gjykoni pjesën e ndryshimeve klimatike dhe lidhjen apo ndikimin me tregun e sigurimeve?
Efektet e ndryshimeve klimatike nuk janë më një teori, por një dukuri e cila na prek të gjithëve. Katastrofat natyrore, si tërmetet, përmbytjet apo rrëshqitjet e tokës janë ngjarje që së fundmi i kemi dëgjuar më shpesh, por nuk kemi ndërmarrë hapa apo masa konkrete për përmirësimin e kësaj situate.
T’u përgjigjesh rreziqeve që vijnë nga ndryshimet klimatike është një prioritet për të gjithë ne. Industria jonë ka mundësinë më të mirë që të zgjerojë gamën e produkteve dhe mbulimeve që ofron, si dhe të ndërgjegjësojë publikun dhe ta bëjë të interesuar për produktet e sigurimit.
Por siç e përmendni dhe ju, është dhe një rrezik shumë i madh, pasi ndryshimet klimatike po ndodhin me hapa shumë të shpejtë dhe duke qenë se modelet tona bazohen në të dhëna historike, atëherë mund të mos kemi një pamje të qartë të ekspozimit që na pret.
 
Cilat janë ato pjesë të portofolit aktual në tregun e sigurimeve që mund të preken nga këto ndryshime? A ka mjaftueshëm ndërgjegjësim për këto rreziqe dhe për sigurimin nga biznesi dhe qytetarët?
Sigurisht që industria e sigurimeve, dhe në veçanti portofoli i sigurimit të pronës, është mjaft e prekur nga këto ndryshime dhe kjo vihet re sepse në vitet e fundit, dëmet e shkaktuara nga katastrofat natyrore janë rritur shumë, jo vetëm në numër, por edhe në vlerë.
Kompania jonë mëmë, Vienna Insurance Group, po bën studime se si ndikojnë në industrinë e sigurimeve këto ndryshime. Për këtë qëllim po përdoren të dhëna shkencore, si dhe po analizohen efektet e ngrohjes globale. Analiza tregon se pritet një rritje e këtyre dukurive, veçanërisht për përmbytjet, stuhitë dhe breshrin.
Edhe pse Shqipëria ka qenë jo pak e prekur nga këto dukuri, ndërgjegjësimi vazhdon të mbetet në nivele shumë të ulëta. Dëgjojmë shumë shpesh histori të tilla, biznese që është dashur një jetë e tërë dhe shumë mundim të ngrihen dhe brenda pak çastesh shkatërrohen prej këtyre katastrofave.
Tarifat e sigurimit të pronës kanë qenë gjithnjë shumë të përballueshme nga bizneset dhe individët, por një përqindje e vogël e tyre zgjedhin të sigurohen. Një pjesë e mirë e atyre që sigurohen, nuk zgjedhin mbulimet e duhura apo nuk e sigurojnë biznesin apo banesën për vlerat reale të saj, duke sjellë pakënaqësi në momentin e trajtimit të dëmit dhe rrjedhimisht dhe ulje të ndërgjegjësimit për produktin.
Vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit, primet nga sigurimi i pronës janë rritur me vetëm 20% në total me një rritje mesatare prej 2.7% në vit. Edhe kjo rritje ka ardhur kryesisht nga projekte të mëdha, të cilat e kanë pasur të detyrueshëm këtë sigurim.
Ndërkohë që dëmet janë rritur me një trend mesatar prej 75% në vit, dhe nga të gjitha primet e mbledhura për sigurimin e pronës në periudhën 2013 – 2023, vetëm pagesat e dëmeve kanë qenë sa 55% e tyre, pa përfshirë pagesat e tjera administrative dhe të marrjes në sigurim.
 
Cilët janë sektorët që mund të jenë të ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve, të tillë si bujqësia apo turizmi dhe cila është mundësia që ofrohet nga tregu i sigurimeve për të minimizuar pasojat?
Siç e kam përmendur edhe më parë, efektet negative që ndryshimet klimatike kanë në bujqësi, e bëjnë të domosdoshme nevojën për një skemë kombëtare sigurimi. Aktualisht në Shqipëri nuk janë të zhvilluara këto sigurime, jo sepse mungon ekspertiza nga tregu, por për shkak të mungesës së interesit për këto produkte.
Njerëzit, gjithnjë e më shumë, po zgjedhin të jetojnë në mënyrë të shëndetshme dhe kjo bën që bujqësia dhe blegtoria të jetë një ndër industritë që po merr më shumë vëmendje.
Dihet se moti është një faktor i rëndësishëm, i cili ndikon në prodhim, por fatkeqësisht nuk mund të kontrollohet. Dekada e fundit na ka përballur me dukuri të tilla si thatësira dhe përmbytje apo luhatje temperaturash, të gjitha brenda periudhash të shkurtra kohe, të cilat dalëngadalë po bëhen sistematike.
Për këtë arsye, në disa vende të ndryshme të Europës, bujqësia mbështetet nga shteti, duke krijuar skema sigurimi të përbashkëta. Sa më e madhe të jetë sipërfaqja në të cilën aplikohet kjo skemë sigurimi, aq më mirë diversifikohet risku dhe aq më i përballueshëm është primi i sigurimit për fermerët.
Aktualisht, me kërkesat që ekzistojnë nga fermerët për të siguruar fermën e tyre, është e pamundur të ofrohet ky sigurim. Është një portofol i pamjaftueshëm për të ofruar tarifa të përballueshme për këto biznese dhe mbulime adekuate.
Mbulimet që ofrohen për bujqësinë, janë jo vetëm për të mbuluar rrezikun e të korrave, por edhe të mbrojtjes së çmimit të produktit bujqësor apo blegtoral. Rreziqet që sigurohen sipas këtyre skemave janë stuhia, breshëri, thatësira, ngrica, përmbytja, etj.
 
Si mund të përgatitet tregu i sigurimeve për të qenë gati për pasojat që sjellin ndryshimet klimatike dhe a është ky treg mjaftueshëm i maturuar për të përqafuar këto elemente shtesë që mund të sjellë kjo?
Tregu i sigurimeve mund të ofrojë garanci financiare, me produkte sigurimi të besueshme. Në diskutimet se si do të përballohen ndryshimet klimatike në vendin tonë, aktor i rëndësishëm duhet të jetë edhe tregu i sigurimeve. Ne kemi kohë që e studiojmë ndikimin që ndryshimet klimatike kanë në industri të ndryshme, duke qenë se përballemi me trajtime dëmesh të kësaj natyre.
Për shkak edhe të bashkëpunimeve të ngushta me tregun botëror, kemi eksperiencë dhe ekspertizë të mjaftueshme për të sugjeruar dhe për të zbatuar zgjidhjet më të mira, në interes të të gjitha palëve.
Puna për të reduktuar efektet e ndryshimeve klimatike kërkon përkushtim jo vetëm nga sektori privat, por edhe nga qeveria dhe nga shoqëria civile, të cilat ndërmjet të tjerave të kenë në fokus të tyre investimet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
 
Lexoni edhe:
Ndryshimet klimatike, çfarë rrezikon Shqipëria
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Burimi