Në burg të varfrit, jo oligarkët! Ndiqet penalisht 74-vjeçarja invalide për një gardh

Pallate dhe kate pa leje u sekuestruan me një vendim të nxjerrë me urgjencë nga qeveria.

Por asnjë nga ndërtuesit e tyre nuk përfundoi në burg. Ligji është treguar më i ashpër me më të varfrit që janë arrestuar dhe vënë në ndjekje penale edhe për një gardh.
Kjo është Bihane Shaba 74 vjeç e cila jeton e vetme në një banesë 24 metra katror në Shkozë.

Shtëpinë e ndërtuar me shumë mundim pas vdekjes së bashkëshortit më shumë se 20 vite më parë një shkarje dheu rrezikon t’ia shembe.
Në pamundësi fizike dhe ekonomike ajo kërkoi ndihmën e të afërmve për të vënë disa hekura që të parandalojë shkarjen e mëtejshme të dheut. Por kjo ndërhyrje u cilësua shkelje ligji e ndërtim pa leje.
Për shkak të moshës policia e Tiranës e procedoi penalisht në gjendje të lirë të moshuarën.
“I vura këto hekura vetëm për të më mbajtur shtëpinë mos më shembet. Erdhi policia tha është ndërtim pa leje. E lashë të bëhet sit ë bëhet vetëm qeveria dhe policia të jenë të kënaqura. E kam bërë me shumë mundim këtë shtëpi se ka 26 vite që më ka vdekur burri.”- tha Bihane Shaba.
Para se të bënte këtë ndërhyrje mirëmbajtje Bihane Shaba vuri në dijeni autoritetet por ato e orientuan drejt aplikimit online të cilën e moshuara nuk e kryente dot.
Ligji për ndërtimet pa leje godet shumë rëndë qytetarë të thjeshtë që ndërtojnë një mur oborri, hapin një dritare apo riparojnë banesat e dëmtuara. Ne vitet e fundit kërrbaci i ligjit ka futur në burg, gjobitur me mijëra shqiptarë. Por ligji i Maliqit nuk i prek të paprekshmit që kanë miq e shokë e kliente në qeveri siç është edhe ndërtuesi i këtij pallati mister me 9 kate pa leje. Në Shqipëri jo të gjithë janë të barabartë para ligjit, ata që shkojnë në burg janë njerëzit e thjeshtë ndërsa oligarkët me kate e pallate pa leje nuk preken.

Top ChannelLexo me shume