“Negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE të kushtëzohen me sanksionet ndaj Rusisë”

Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian kërkoi të enjten që procesi i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian por edhe ndarja e fondeve të bllokut për të, të kushtëzohen me vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Komisioni i bëri këto thirrje ndërsa miratoi rekomandimet për strategjinë e re të zgjerimit, duke nënvizuar se duhet të shndërrohet në përparësi harmonizimi i politikës së Jashtme të vendeve që aspirojnë anëtarësimin me politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe siguri.

Anëtarët e komisionit thanë se negociatat për anëtarësimin e Serbisë duhet të përparojnë vetëm nëse ky vend u bashkohet sanksioneve evropiane ndaj Rusisë dhe të bëjë përparim domethënës në reformat e nevojshme për integrim në bllok.

Në këtë këndvështrim, thanë eurodeputetët, çdo fond i Bashkimit Evropian për Serbinë duhet të rishqyrtohet, në mënyrë që të sigurohet që të gjitha shpenzimet e bllokut të jenë plotësisht në përputhje me qëllimet dhe interesat strategjike të tij.

Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës.

Kremlini mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore./VOA

Lexo me shume