Nga Mali i Zi drejt Shqipërisë, zbardhen hetimet për vdekjen e dy ukrainaseve në Tiranë_66427a0cb0d7d.webp

Nga Mali i Zi drejt Shqipërisë, zbardhen hetimet për vdekjen e dy ukrainaseve në Tiranë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja që u raportua ditën e premte në Tiranë, ku dy shtetase nga Ukraina u gjetën pa shenja jete në banesën e tyre me qera në “Rrugën e Dibrës”. Ato u gjetën të vdekura nga shoqja e tyre e dhomës, me të cilën ndanin edhe qeranë, Yeva Vorona, e cila ka dhënë më shumë informacion mbi aktivitetin e tyre në vendin tonë.
Vorona ka rrëfyer para hetuesve se bashkë me shoqet e saj ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës, jo në Shqipëri, por në Mal të Zi, ndërsa në vendin tonë kishin ardhur me pushime. Megjithatë hetuesit kanë ngritur dyshime se tre vajzat e ushtronin aktivitetin e tyre edhe në Tiranë, nisur nga të dhënat e sistemit TIMS, në të cilat shihet se Yeva Verona kishte katër muaj që ishte në kryeqytet dhe kishte udhëtuar disa herë drejt Malit të Zi.
Ende nuk dihet dinamika e plotë e vdekjes së dy vajzave, ndërsa ekspertiza paraprake ka dalë në konkluzionin se shkak është bërë mbidoza e ilaçeve me përmbajtje narkotike. Ndërkohë sipas dëshmisë së shoqes së tyre dy viktimat vuanin nga sëmundje të zemrës dhe epilepsisë.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa janë marrë edhe telefonat e dy vajzave të vdekura Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova për të zbërthyer komunikimet e fundit të tyre.
 
j.l./ dita

Burimi