“Nga Superiorja kam ftuar lojtarët që kanë treguar vlerat”, Reja premton finalet e “EURO 2024”: Dua të qëndroj, do flas me Dukën

Shqipëria do të përballet ndaj Arabisë Saudite në një ndeshje miqësore, të mërkurën, në orën 16:30 në transfertën Arabe. Në prag të kësaj sfide, në konferencën për shtyp është shfaqur, trajneri i Kombëtares, Edi Reja për të analizuar këtë takim për kuqezinjtë, të ardhmen e tij dhe për lojtarët e grumbulluar:

Ndeshja ndaj Arabisë – “Unë jam i lumtur që kam mundësinë të njihem me këtë grup lojtarësh. Janë lojtarë që unë i kam ndjekur, i kam parë ndeshjet vazhdimisht të kampionatit shqiptar dhe normalisht kam njohuri të përgjithshme për pjesën më të madhe të lojtarëve. Por normalisht dua t’i shikoj këta lojtarë se sa vlejnë për Kombëtaren. Ky është synimi i kësaj miqësoreje, për të provuar lojtarë të rinj dhe t’i japim mundësinë për të veshur fanellën e Kombëtares. Pse jo, mbase edhe për të parë ndonjë lojtarë për ta grumbulluar në të ardhmen, në ndeshjen e ardhshme. sigurisht koha është pak e shkurtër. Do të doja të kisha më shumë ditë për t’u njohur më mirë me lojtarët. Gjithsesi kjo miqësore me Arabinë Saudite është një eksperiencë mjaftë interesante.”

 Lojtarët e grumbulluar – “Mendoj se lojtarët që kam grumbulluar, kanë treguar vlerat e tyre në kampionatin shqiptar. Unë në listën time kam zakonisht mbi 30 lojtarë, ku kam lojtarë që luajnë jashtë, por dhe ata të kampionatit shqiptar, të cilët i kam ndjekur. Po shikojmë mundësinë për të pasur dhe miqësore të tjera në muajin nëntor, jemi në tratativa.

Unë me presidentin Duka kemi folur që para tre vitesh, për mundësinë për të parë sa më shumë lojtarë nga kampionatin shqiptar për t’i testuar. Por e vërteta është që ne vazhdimisht kemi pasur lojtarë nga klubet shqiptare, Hoxhallari, Seferi apo edhe Trashi, i cili erdhi nga kampionati shqiptar, më pas u transferua në Katar në mos gaboj. Mendoj se ishte një lojtar që mund të luante shumë mirë edhe në kampionatet europiane. Gjithsesi mezi pres të shoh gjendjen e lojtarëve dhe të nxjerr konkluzionet për të parë se sa të vlefshëm do të jenë për t’i pasur në Kombëtare.”

E ardhmja – “Për sa i përket të ardhmes, flitet shumë për këtë çështje, por unë mendoj se pjesa e moshës është faktor psikologjik. Kur ndihesh mirë patjetër që ke shumë dëshirë të vazhdosh. Kemi krijuar një raport shumë të mirë me ekipin, me djemtë, me grupin, ju mund t’i pyesni dhe ata, për të kuptuar se sa atmosferë e mirë është krijuar në këto vite.

Kam shumë besim te kjo skuadër. Kur mora këtë detyrë objektivi ishte të shkonim në finalet e EURO 2024. Unë punoj këtu prej gati 3 vitesh e gjysmë. Kemi marrë rezultate shumë të mira, të cilat nuk duhet t’i harrojmë. Për edicionin  fundit të Ligës së Kombeve jemi pak të zhgënjyer. Nuk dua të nxjerrë justifikime, por kishim mungesë fati, shumë dëmtime, shumë mungesa, ndërkohë që kemi humbur shumë raste. Unë dua ta çoj deri në fund këtë mision. Sigurisht kam dëshirë që të qëndroj, sepse e kam energjinë e duhur. Sigurisht pasi të mbarojë kontrata në nëntor do të ulemi dhe të diskutojmë. Nëse do të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe objektivat të jenë të përbashkëta, me shumë dëshirë do të vazhdoj të jem trajneri i Shqipërisë.”

Skuadra – “Ia kam thënë presidentit që me këtë skuadër mund të shkojmë në Europian. Ne ishim shumë pranë ‘play-off’-it të Botërorit, por situata u komplikua në ndeshjen me Poloninë, ku në një rast Uzuni madje gaboi një gol pothuajse të sigurt në fillim. Ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe.”

Kualifikueset e Europianit – “Ne mund ta luajmë kualifikimin me Çekinë, por në eliminatore lojtarët duhet të jenë në formë të mirë. Nuk ka ndeshje të lehta në eliminatore, por unë jam i bindur që do të bëjmë mirë. Nuk është thjesht çështje dëshire, ne duhet t’i luajmë shanset tona deri në fund.”

Lojtarët e rinj – “Do të ishte pozitive të grumbulloja ndonjë lojtar të kësaj miqësoreje në ndeshjen me Italinë, por fillimisht duhet t’i vlerësoj. Kemi bërë shumë ndryshime, kemi marrë vendime, por është shumë e vështirë që të ndryshojë grupi aktual me 23 lojtarë që unë kam. Nuk i nënvlerësoj ata që luajnë në Shqipëri, por kanë pak eksperiencë.”

Minutat e fundit – “Nuk mund t’i fal më këto rënie tensioni në minutat e fundit. Nuk mund të hedhim poshtë punën e bërë, dhe këto gabime nuk i fal më. Nëse vazhdon të gabosh në fund, atëherë je gjysmë-lojtar, sepse ndeshjet nuk luhen 90 minuta por 100 minuta. Në këtë këndvështrim duhet të jemi më të vëmendshëm.”

Mentaliteti – “Mentaliteti është i gabuar sepse ka ndodhur në 5, 6 apo 7 ndeshje. Tani nuk mund të gabojmë më as një presje në fundin e ndeshjeve. Unë fola me lojtarët, ndeshjen e fundit isha shumë i nxehur. Nuk pranoj më solistë në ekip, të gjithë duhet të luajnë për skuadrën, në të kundërt nuk kanë më vend në skuadër. Lojtarët që nuk do të kenë përqendrimin e duhur, nuk mund të jenë pjesë e grupit.”, përfundoi Reja.

Lexo me shume