Ngadalësimi global i prodhimit tregon se më e keqja nuk ka ardhur ende

Recesioni do të ishte i tmerrshëm për vendet që ende nuk janë rimëkëmbur nga COVID-19, shkruan The Economist

“A po afron një recesion global?” pyet një raport i ri nga Banka Botërore. Përgjigjja nuk do të jetë një surprizë për prodhuesit.

Në gusht, prodhimi global u tkurr në krahasim me një muaj më parë dhe porositë e reja ranë për të dytin muaj radhazi, sipas bankës JPMorgan Chase.

Ndërsa problemet ekonomike po rriten, më e keqja mund të mos ketë ardhur ende, si për fabrikat, ashtu edhe për ekonominë në tërësi.

Vitin e kaluar, industria u zhvillua jashtë mase. Konsumatorët, pasi kishin marrë ndihma bujare financiare për COVID-19, rritën shpenzimet për mallra dhe lehtësimi i masave të distancimit social, i lejoi fabrikat të mbulonin terrenin e humbur.

Vlera e prodhimit global u rrit në më shumë se 16 trilionë dollarë, duke përfaqësuar pjesën më të lartë të PBB-së në gati dy dekada.

Industria e vrullshme solli një vit të begatë për ekonominë botërore dhe prodhimi i përgjithshëm global u rrit me 6.1%, ritmi më i shpejtë në histori, pavarësisht problemeve me zinxhirin e furnizimit.

Zbutja e kërkesës ishte e pashmangshme, pasi jeta u bë më normale dhe shpenzimet u kthyen nga mallrat drejt shërbimeve.

Por edhe aktiviteti i sektorit të shërbimeve duket zhgënjyes kohët e fundit dhe problemet e prodhimit reflektojnë goditje shumë më të mëdha.

Më e rënda është kriza e çmimit të energjisë, e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Prodhimi industrial në Eurozonë ra me 2.4% në korrik, në krahasim me një vit më parë.

Kompanive u është dashur të operojnë me kosto të rritura të energjisë që e bëjnë prodhimin joekonomik. Një dimër i ftohtë do të sillte edhe më shumë dhimbje./monitor

Lexo me shume