Ngjarjet më të rëndësishme të kronikës

Masakër në Klos. Fiqiri Mjeshtri vret babë e bir e më pas edhe veten, ndërsa lë të plagosur dy të tjerë

Një masakër u regjistrua në Klos, ku Fiqiri Mjeshtri vrau babë e bir, Ilir dhe Kenado Shira, si dhe plagosi Eglantin dhe Renato Hasula. Shkak u bë një lidhje e dyshimtë dhe pretendimet për shantazh me materiale intime ndaj vajzës së autorit të kësaj ngjarje, i cili pas krimit vrau veten. Masakra u shënua pasi tre familjet kishin shkuar në një lokal për t’u sqaruar, por Fiqiri Mjeshtri qëlloi me armë ndaj dy baballarëve dhe fëmijëve të tyre dy djemve 17-vjeçare i të cilët i bënin presion në rrjetet sociale.

Për këtë arsye prokuroria ka sekuestruar celularët e tyre për të verifikuar komunikimet që kanë patur. Për ngjarjen u shoqëruan në polici edhe dy vëllezërit e Fiqiri Mjeshtrit, Besnik dhe Fatmir Mjeshtri, të cilët u lanë të lirë pas dëshmisë së tyre. Për ngjarjen e rëndë ka dëshmuar në polici edhe e mitura, S.Mjeshtri, e cila u bë mollë sherri mes tre familjeve në Klos. Sipas saj, të rinjtë i kanë vjedhur dy adresa Instagrami dhe e kanë kërcënuar se do t’i bënin publike të gjitha pamjet dhe fotot që kishte në rrjetet sociale.

Hakerat publikojnë emrat e punonjësve të policisë. Prokuroria: Të dhënat dalin nga tre shtete

Edhe gjatë kësaj jave hakerat publikuan të dhëna të reja të marra nga sulmi kibernetik. Këtë herë ata bënë publike emrat e 7 mijë punonjësve të policisë, mes të cilëve dyshohet se janë edhe emra të infiltruarish. Këto informacione sipas Drejtorit të Policisë së Shtetit, nuk janë informacione të klasifikuara dhe as nga sistemi “DeepSea”.

Për herë të parë prokuroria arriti të identifikojë vendet nga bëhen publike të dhënat e marra pas sulmit kibernetik. Sipas akuzës së kryeqytetit, të dhënat sensitive publikohen nga Republika Popullore e Kinës, Federata Ruse dhe Britania e Madhe. Prokurori i çështjes Bledar Valikaj, ka dërguar letër-porosi në të tre këta shtete për të mbyllur llogaritë e hakerave në rrjetin social Telegram.

Engjëll Agaçi dëshmon në SPAK për inceneratorët. Prokuroria e Posaçme kërkon rikthimin e Alqi Bllakos në qeli 

Gjatë 7 ditëve nuk kanë munguar edhe vendimet për masa sigurie dhe arrestimet nga policia për persona në konflikt me ligjin. Për herë të parë sekretari i përgjithshëm i Këshillit të ministrave, Engjëll Agaçi është paraqitur mesditën e në SPAK. Ai ka qëndruar rreth 2 orë në Prokurorinë e Posaçme ku ka dhënë dëshminë e tij për çështjen e inceneratorëve. Ndërkohë gjatë javës Prokuroria e Posaçme ankimoi vendimin për lirimin e Alqi Bllakos nga qelia. SPAK ka kundërshtuar vendimin e shkallës së parë për zëvendësimin e masës së sigurimit, ndaj Bllakos i cili akuzohet abuzime me inceneratorin e Fierit. Prokuroria thekson në ankim se argumentet e përdorura nga Bllako nuk janë shkaqe për lirimin e tij nga qelia.

Shoqërohej me Endrit Doklen, arrestohet Fatjon Murati. Prokuroria i sekuestron 5 milionë euro pasuri

Fillimi i javës nisi me arrestimin e Fatjon Muratit, i cili ndodhej në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe në momentin e ndalimin ishte nën shoqërinë e Endrit Dokles dhe Gentjan Reçit. Këta dy të fundit u liruan ndërsa Murataj, doli në gjykatë, për të cilin togat e zeza vendosën arrest me burg, edhe pse ai i mohoi akuzat.

Pas verifikimeve nga prokuroria e Tiranës, Muratajt iu sekuestruan rreth 5 milionë euro pasuri, duke përfshirë një ndërtesë 8-katëshe, 1 apartament, 4 biznese dhe 1 sipërfaqe ndërtimi. Sipas akuzës së kryeqytetit, bllokimi i këtyre pasurive bëhet për shkak se Murati ka qenë pjesë e një organizate kriminale që vepronte në shtetin Italian.

Pasuritë e Muratit nuk janë të vetmet pasi SPAK kërkoi konfiskimin edhe të pasurive të Redjan Rrajës, i arrestuar për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja. Sipas prokurorisë, duhet të kalojnë në favor të shtetit një apartamenti, dy garazhe, dy makina, dy pasuri truall me sipërfaqe 30 m2 dhe 127.5 m2, një orë ‘Rolex’ dhe si dhe 2750 euro.

Gjykata rikthen në qeli ish-prokurori Edmond Karriqi. Rikonfirmohet dënimi për Enkeleda Hoxhën

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur që të rikthejë në qeli ish-prokurorin e Kukësit Edmond Karriqi. Gjykata i ka rrëzuar dënimin me kusht dhe e riktheu në qeli për të shlyer dënimin me 3 vite e 4 muaj burg.  Ish-prokurorit i kanë mbetur pa shlyer edhe 6 muaj heqje lirie. E njëjta gjykatë dënoi përfundimisht me tre vite burg ish-gjyqtaren Enkeleda Hoxha. Togat e zeza të apelit lanë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë edhe për 9 të pandehurit e tjerë. Ish-gjyqtarja pretendoi pafajësi para togave të zeza. Ish-gjyqtarja e Krujës dhe të pandehurit e tjerë janë cilësuar fajtorë për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Në vijim të vendimeve të dhëna nga drejtësia, gjykata e Tiranës vendosi të miratojë ekstradimin e shtetasit kinez Liangbin Chen, i cili akuzohet si kreu i një grupi kriminal që ka kryer mashtrime kompjuterike duke përfituar 147 milionë euro.

Ndërsa gjykata e Lezhës ka dënuar me 8 vite heqje lirie, pas 9 muajsh procesesh gjyqësore, Florjan Përvathin. I riu ekzekutoi Lekë Lekgjonajn për gjakmarrje. Togat e zeza e dënuan adoleshentin me 12 vjet heqje lirie, aq sa kërkoi prokuroria, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 8 vite. Përvathi akuzohet për vrasje për gjakmarrje dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak.

Fati i Ervis Martinaj, përplasen institucionet. Gjykata rrëzon kontrollet e banesave që kërkoi prokuroria

Fati i Ervis Martinajt që vazhdon të mbetet mister që prej datës 7 Gusht të këtij vitit, ka shkaktuar përplasje mes institucioneve. Prokuroria e Kurbinit është përplasur së fundmi me gjykatën e këtij qytetit për një urdhër kontrollit të banesave të një grupi kriminal që vepron në qytetin e Durrësit. Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Kurbinit kërkesën për të kontrolluar dy banesa, por gjykata e ka rrëzuar me argumentin se nuk ka prova dhe fakte për të miratuar kërkesën e organit të akuzës. Prokuroria e Kurbinit i është drejtuar më pas Gjykatës së Apelit, e cila në një seancë dhe Dhomë Këshillimi i ka dhënë të drejtën prokurorisë. Kontrolli i banesave të grupit kriminal që vepron në Shijak është bërë nga policia kriminale e Durrësit dhe në mbështetje të tyre për të garantuar sigurinë kanë qenë edhe forcat speciale RENEA.

86 kg kanabis në Shkodër, 16 në pranga, mes të arrestuarve janë 10 gra

16 persona janë vënë në pranga ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim gjatë një operacioni antidrogë në Shkodër. Gjatë aksionit u sekuestruan 86 kg kanabis. Mes të arrestuarve janë 10 grave. Lënda narkotike u gjet në proces tharjeje në një banesë në fshatin Bardhaj. Uniformat blu sekuestruan sasinë e kanabisit, 2 ventilatorë  që shërbenin për tharjen e bimëve, 3 automjete dhe 15 aparate celularë.

Vrasja e Martin Çeços, pranga 18-vjeçares. Martina Pajollari dyshohet se nxori në pritë të riun

Shkon në 4 numri i të arrestuarve për vrasjen e të riut Martin Çeço më datë 16 Qershor të këtij viti në Maliq. Trupi i tij i pajetë u gjet në rezervuarin e fshatit Kolanec, disa ditë pasi ai ishte deklaruar i humbur nga familja. Në pranga është vënë tashmë edhe 18-vjeçarja Martina Pajollari. Ajo akuzohet si bashkëpunëtore në vrasjen e të riut. Grupi i hetuesve thotë se ka arritur të sigurojë prova, se e reja ka bashkëpunuar me Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj të arrestuar më herët si autorë të vrasjes së 26-vjeçarit. Kanë qenë deklarimet kontradiktore të dhënë nga 18-vjeçarja që ngjallën dyshime tek hetuesit. Martina Pajollari dyshohet se ka qenë e lidhur me viktimën, por në të njëjtën kohë pasur marrëdhënie edhe me Valter Mollajn, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes.

Klan News

Lexo me shume