Nis edicioni i gjashtë i Maratonës së Tiranës, Veliaj: Jemi finalistë për titullin “Qyteti Europian i Sportit 2023”

Në nisje të edicionit të gjashtë të Maratonës së Tiranës, eventi më i madh sportiv në qytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka mbajtur një fjalë përshëndetëse për të gjithë garuesit. Veliaj tha se Tirana mezi pret të marrë edhe titullin “Qyteti Evropian i Sportit 2023”, teksa tregoi se ai këtë herë do të vrapojë për Special Olympics Albania.

Erion Veliaj: Jemi finalistë për të qenë Qyteti Europian i Sportit 2023. Nëse do ia dalim, shpresoj si gjithmonë, do kemi më shumë ditë si kjo. Dua  t’u japim një duartrokitje të gjithë atyre që kanë kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, shqiptarët kudo ku janë. Shumë faleminderit 33 përfaqësuesve nga 33 shtete. Faleminderit që keni ardhur në Tiranë. Shpresoj që do të ktheheni prapë me familjet, herën tjetër si turistë, si sipërmarrës dhe ndoshta si rezidentë dhe shtetas të rinj të republikës sonë.

Kryebashkiaku Veliaj nxiti pjesëmarrësit të promovojnë sa më shumë kauzat e tyre, teksa njoftoi edhe cila do të jetë e tija në këtë garë.

Erion Veliaj: Unë këtë vit do vrapoj për Special Olympics Albania. Do të falënderoj Landin që drejton Special Olympics, të gjithë çunat dhe gocat me aftësi ndryshe, të gjithë janë engjëjt tanë dhe në qytetin tonë scili meriton sukses në bazë të talentit dhe në bazë të mbështetjes që i jep secili prej nesh. Cilado qoftë kauza ndihuni të lirshëm që ta promovoni dhe të rekrutoni të tjerë në kauzën tuaj.

Gara e Maratonës së Tiranës është e ndarë në katër kategori: “Marathon” gara e plotë që i dedikohet profesionistëve, “Half Marathon”, për ata që duan të sfidojnë veten, “Tirana 10K” ku garojnë kryesisht të apasionuarit pas maratonave, por jo profesionistë dhe kategoria “We Too” që është gara për personat me aftësi ndryshe./tvklan.al

Lexo me shume