Nis hetimi për tokat e Bufit në Sarandë, dy biznesmenë nën akuzë

Policia e Sarandës ka nisur hetimet lidhur me një sipërfaqe të madhe tokash në vendin e quajtur Sorone, në Xarë të Konispolit.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturat “Tokat e Bufit”, të cilat i pretendojnë 45 familje të zonës si kompensim për tokat e përmbytura. Në fakt këto familje kanë marrë premtim nga pushtetarë lokale e qendrore për t’u kompensuar në 140 ha tokë të lirë, por kjo ka mbetur ende në letra gjysmake.

Siç ka zbuluar policia, pronare në këto toka janë bërë dy shtetas nga Delvina, për të cilët organet e rendit dyshojnë se përmes korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve, janë bërë pronare, madje duke e regjistruar edhe pranë ASHK Sarandë në 3 vjeçarin e fundit.

Policia doli sot në një komunikate zyrtare duke u shprehur: “Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit K. M., 54 vjeç dhe H. M., 60 vjeç, pasi dyshohet se nëpërmjet korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve, kanë përfituar sipërfaqe toke, në zonën e Soronesë, Xarë”.

Bëhet fjalë për Kastriot Metaj e Hektor Myftari, dy biznesmenë nga Delvina, të cilët nga ana e tyre pretendojnë se e kanë siguruar këtë pronë në mënyrë të ligjshme.

(BalkanWeb)

Lexo me shume