Një armë e rrezikshme_663a01cb4f757.jpeg

Një armë e rrezikshme

Kufiri i çmimit që ka vendosur Perëndimi për naftën ruse mund të trondisë tregjet e energjisë. Tregtarët presin një tronditje të vogël, por mund të përjetojnë një tërmet të madh, shkruan The Economist
 
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, politika energjetike e Amerikës ka ndjekur dy synime të mëdha, në dukje kontradiktore. I pari është mbajtja e ofertës globale të naftës mjaftueshëm të lartë që çmimet të mbeten të tolerueshme dhe mbështetja publike për sanksionet të mbetet e fortë.
I dyti është pengimi i makinës së luftës të Vladimir Putinit, duke ulur rrjedhën e dollarëve që fiton Rusia nga fuçitë e naftës.
Së bashku, këto formojnë një rreth që është i vështirë të kthehet në katror, sepse, ndërsa oferta ndjek nga afër kërkesën për shkak të mungesës së prodhimit të ri, heqja e çdo sasie nafte nga tregu, shkakton mekanikisht çmime më të larta. Megjithatë, Perëndimi është përpjekur të sfidojë ligjet e fizikës, duke krijuar një sërë masash për të ndërhyrë në tregjet e naftës.
Ato që janë vendosur deri tani, kanë qenë shpesh të vogla dhe përfshijnë kompromise të pakëndshme. Duke hedhur poshtë sanksionet e veta kundër regjimit të korruptuar të Venezuelës, më 26 nëntor, Amerika i dha leje kompanisë Chevron, një firmë e madhe amerikane nafte, që të rriste prodhimin e saj në Venezuelë. Amerika ka shfrytëzuar edhe vëllime të mëdha nga rezervat strategjike të naftës së papërpunuar; rezerva që tani janë në nivelin më të ulët që nga viti 1984.
Përpjekja më pak produktive e Shtëpisë së Bardhë, ka qenë që të nxisë shtetet e Gjirit Persik që të pompojnë më shumë naftë. Brenda disa muajsh pasi presidenti Joe Biden shtrëngoi duart me sundimtarin de facto saudit, Muhammad Bin Salman, në Riad në korrik, shteti i naftës dhe aleatët e tij në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), deklaruan se në fakt, ata do të ulnin prodhimin. Më 4 dhjetor, grupi u takua sërish. Duket se tani, rritja e prodhimit nuk ka gjasa të ndihmojë gjendjen e krijuar.
 

 
Megjithatë, fushata e kujdesshme e Perëndimit për të mposhtur Putinin, ende nuk ka hyrë në veprim. Në qershor, BE-ja njoftoi se, më 5 dhjetor, do të ndalte importet nga deti të naftës së papërpunuar ruse, e cila arrinte në 2 milionë fuçi në ditë, ose rreth 40% e totalit të eksporteve të papërpunuara të Rusisë, një vit më parë.
Më pas, ajo tha se do të ndalonte gjithashtu ofruesit europianë të shërbimeve detare, cisternave dhe sigurimeve që të ndihmonin blerësit jashtë BE-së për të mbartur fuçitë ruse – një mjet i fuqishëm, duke pasur parasysh se ato firma mbizotërojnë tregun global të transportit.
Së shpejti, Amerika e kuptoi se, së bashku, këto dy masa kishin potencialin për të ndrydhur furnizimin global të naftës. Dhe kështu ajo këmbënguli në aplikimin e një klauzole dobësuese: me kusht që të bien dakord për të paguar një çmim maksimal për naftën ruse, të caktuar nga G7-a, blerësit joperëndimorë mund të vazhdojnë të blejnë sigurime europiane.
Një gjë është e sigurt. Asnjëherë më parë, një grup masash kaq të ngathëta nuk ka goditur njëherësh tregun global të naftës. Shumë prej tyre janë sinjalizuar me kohë dhe mund të shkaktojnë pak probleme. Por ka arsye për të menduar se mund të ketë tronditje, të paktën për njëfarë kohe.
Në një skenar optimist, paketa e sanksioneve mund të arrijë të pajtojë dy synimet kontradiktore të Perëndimit. Embargoja do të siguronte që Europa të mos e nxiste më luftën e Putinit: muajin e kaluar, blloku bleu 2.4 milionë fuçi naftë bruto dhe të përpunuar nga Rusia. Ndërkohë, kufiri i çmimit, thotë një zyrtar amerikan i Departamentit të Thesarit, do të vepronte si një “valvul lehtësimi”, duke e mbajtur tregun global në ekuilibër dhe duke u lejuar vendeve në zhvillim të blejnë naftë ruse me zbritje. Rusia do të merrte më pak para, pavarësisht nëse ato vende e nënshkruajnë apo jo planin, sepse thjesht ekzistenca e një kufiri, do të rriste fuqinë e tyre negociuese, ose të paktën, kështu mendon Amerika.
Në mungesë të një kufiri mjaft të ulët të çmimeve, kostoja për Rusinë do të ishte reale, por modeste. Do të shtonte edhe më tepër dhimbjen ekonomike të krijuar tashmë nga arsenali i gjerë i sanksioneve të Perëndimit, të cilat mund të dëmtojnë shumë ekonominë e Rusisë në një periudhë afatgjatë, por nuk kanë qenë vendimtare deri tani. Embargoja nuk do të trondiste tregjet e naftës së papërpunuar, ose të paktën, kështu parashikojnë tregjet e mallrave.
Kontratat e treguesit të naftës Brent, të cilat në qershor parashikuan një çmim të naftës për vitin në vijim rreth 100 dollarë për fuçi, tani e parashikojnë atë në rreth 85 dollarë (shih grafikët). Shumica e tregtarëve presin ndryshim në flukset e karburantit që janë vënë re këtë vit, ku India dhe Kina do t’ia kalojnë Europës si klientët më të mëdhenj të Rusisë.
Ky skenar i lumtur bëhet me hamendësimin se nuk do të ndodhë ndonjë ngërç logjistik që do të parandalonte që modelet e tregtimit, të cilët kanë qenë të njëjtë për dekada me radhë, t’i nënshtroheshin një tranzicioni të butë dhe njëkohësisht të shpejtë.
Një skenar më pak optimist, parashikon se sanksionet mund të shkaktojnë fërkime të padëshiruara. Mund të ketë tre pengesa kryesore: një krisje në cisterna, një boshllëk sigurim  esh, ose një mungesë globale e dëshirës për të ndërmarrë rreziqe.
Fillojmë me cisternat. Qipro, Greqia dhe Malta, zënë një vend aq të rëndësishëm në transportin detar, sa që ndalimi nga ana e Europës në ofrimin e shërbimeve detare për vendet që nuk nënshkruajnë kufirin e çmimit të naftës (dhe shumë prej tyre kanë sinjalizuar se nuk do ta bëjnë këtë), mund të krijojë një mungesë të madhe të anijeve që janë të afta të transportojnë naftë ruse. Claudio Galimberti nga Rystad Energy, një firmë të dhënash, parashikon mungesë prej rreth 70 anijesh, me kapacitet të përgjithshëm mbajtës prej 750,000 fuçi nafte/ditë, që do të zgjasë dy deri në tre muaj.
Në fund të fundit, ky problem duhet të zgjidhet vetë. Zëra brenda industrisë flasin për një “flotë të errët” gjithnjë në rritje, me anije të vendosura në Iran dhe Venezuelë. Firmat ruse po rikthejnë në shërbim anijet që nuk ishin vënë në përdorim.
Pronarët e anijeve të BE-së po transferojnë asete tek operatorët jashtë G7-ës. Një tregtar kryesor i energjisë, llogarit se, deri në shkurt, do të ketë mjaftueshëm anije për të transportuar naftën e papërpunuar ruse, megjithëse anijet për të ridrejtuar produktet e rafinuara si nafta, nga rrugët e shkurtra në Europë, drejt klientëve të rinj të largët, mund të mbeten të pakta për ca kohë.
Kriza në mbulimin e sigurimeve është një pengesë më e madhe e mundshme. Problemi nuk është se vendet e Lindjes së Mesme apo të Azisë, që zakonisht blejnë fuçi ruse, nuk kanë firma vendase me aftësi financiare për të siguruar cisterna dhe ngarkesa.
Ajo që së shpejti mund t’u mungojë, është mbulimi i rreziqeve shumë më të mëdha, si derdhjet e naftës, detyrimet për të cilat mund të arrijnë pa frikë në gjysmë miliard dollarë. Nuk ka shumë sigurues të rinj në treg që duan të bëhen përgjegjës për një anije të vjetër venezuelase që kalon nëpër ngushticat daneze, vetëm 15 metra të thella, thotë një tregtar veteran nafte.
Problemi është se ky lloj sigurimi kërkon kapital të thellë privat që është i vështirë të gjendet jashtë Perëndimit. Ndoshta qeveritë kineze dhe indiane mund të binden të ofrojnë sigurime sovrane, megjithëse vështirë se mund ta bëjnë këtë. Në fakt, disa tregtarë mendojnë se blerësit aziatikë mund të blejnë më pak naftë ruse, pasi të hyjë në fuqi ndalimi i sigurimeve.
Pengesa e tretë mund të jetë mungesa e dëshirës nga vendet jashtë G7-ës për të ndërmarrë rreziqe, duke anashkaluar një skemë të krijuar nga Perëndimi. Shumë nuk u besojnë premtimeve amerikane për të mbajtur duart larg, nëse vendet zgjedhin të shmangin kapakun e çmimit të naftës. Këtu nuk ndihmon fakti se, në fushatat më të fundit të sanksioneve, si ato të shënjestruara ndaj Iranit, Amerika ka qenë e vagullt në shpjegimin e perimetrit dhe shkallës së dënimeve ndaj shkelësve, në mënyrë që të pengojë këdo që të lidhet me armiqtë e saj. Kjo praktikë, njihet në gjuhën e sanksioneve si “paqartësi konstruktive”, dhe është e vështirë për t’u hequr qafe.
E gjithë kjo mund të bëjë që një pjesë e eksporteve ruse të naftës të bien jashtë hartës, duke bërë që çmimet të rriten. Por është gjithashtu i mundur një skenar shumë më i keq, që Rusia të shkurtojë qëllimisht eksportet e naftës dhe çmimet të dalin jashtë kontrollit. Kjo mund të ndodhë nëse Kina, e cila duhet të braktisë blerjet nga vendet e tjera për të blerë edhe më shumë naftë ruse, përpiqet të bëjë një ujdi shumë të vështirë. Më shumë gjasa do të ishte një vendim i njëanshëm.
Ai mund të ketë kosto të mëdha: Rusia nxjerr 40% të të ardhurave të saj nga eksporti nga shitja e naftës. Por ky mund të jetë një çmim që ia vlen të paguhet përkohësisht nëse rrit çmimet globale, duke dëmtuar Perëndimin dhe duke i dhënë Rusisë më shumë avantazh në negociatat me blerësit, pa shkaktuar dëme të patolerueshme në puset e naftës.
Vendimi i vendit për të mbyllur përkohësisht një kapacitet prodhimi prej gati 2 milionë fuçi nafte/ditë të papërpunuar gjatë pandemisë, rezultoi në vetëm 300,000 fuçi nafte/ditë humbje në kapacitet afatgjatë, sipas firmës industriale Energy Intelligence.
Deri tani, politika energjetike e G7-ës është përpunuar me hollësi të mundimshme në Uashington dhe Bruksel. Por, siç ka thënë dhe Mike Tyson, të gjithë kanë një plan të shkëlqyer derisa goditen me grusht në fytyrë, dhe duke u përballur me pengesa serioze në fushën e betejës, Putini nuk ka goditur fort deri tani. Kontakti i parë i kufirit të çmimit me realitetin, mund të jetë i ashpër.
Përktheu: Lira Muça

Burimi