Një qytet në Nju Xhersi i del në ndihmë Ukrainës

Qyteti Secaucus, në Nju Xhersi, po mbledh ndihma për popullin e Ukrainës. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Iryna Solomko, bisedoi me kryetarin e bashkisë Michael Gonelli rreth kësaj përpjekjeje.

Oksana Bats është aktiviste ukrainase që jeton në qytetin Seacaucus, në Nju Xhersi.
Ajo po përpiqet të ndihmojë bashkëatdhetarët e saj me çfarë të mundet. Ajo thotë se edhe kryetari i bashkisë në Seacaucus, Michael Gonelli, po bën gjithashtu të pamundurën, megjithëse nuk ka asnjë lidhje me Ukrainën.

“Ai u përgjigjet çdo thirrjeje tonë për ndihmë. Shkojmë i themi se çfarë na duhet dhe ai thotë vetëm: pa problem!”, tregon zonja Bats.
Michael Gonelli ka shërbyer si kryebashkiak i qytetit Secaucus për mbi 13 vjet. Ai thotë se përpara se Rusia të fillonte sulmin në Ukrainë, nuk dinte shumë për këtë vend. Por, kur qytetarët e kontaktuan duke kërkuar ndihmë, ai pranoi menjëherë.
“Po bëjmë me ta një tjetër aktivitet për mbledhje fondesh tek pishina e qytetit… Organizojmë shumë mbledhje fondesh për ta; ata janë tani pjesë e jetës time, janë pjesë e gjithçkaje që ne përfaqësojmë”, thotë zoti Gonnelli.
Me origjinë nga rajoni ukrainas Dnipro, Daria Herasymenko ka jetuar në Secaucus prej 16 vitesh. Kur filloi lufta, prindërit e saj, motra dhe mbesa jetonin në Ukrainë.
Ata mbërritën në Shtetet e Bashkuara në muajin maj, pasi filloi në Amerikë programi “Të Bashkuar për Ukrainën”, që e bën më të lehtë pranimin në Shtetet e Bashkuara për shtetasit ukrainas që i largohen luftës.
“Nuk doja të prisnin derisa të goditej qyteti me raketa. Jetonim pranë Donetskut, dhe kurrë nuk i dihej…”, thotë zonja Herasymenko.
Prindërit e saj, Nina dhe Volodymyr Herasymenko, u larguan nga Dnipro në muajin mars. Ata i janë mirënjohës qytetit Secaucus për gjithçka që ka bërë për ukrainasit.
“Ecën fëmija në rrugë dhe shikon flamuj ukrainas; na bën kaq të lumtur!”, thotë Nina.
Tashmë të sigurtë dhe të lumtur, prindërit e Daria Herasymenkos, motra e saj dhe mbesa, nuk kishin asgjë me vete kur mbërritën në Shtetet e Bashkuara. Kryebashkiaku dhe komuniteti i ndihmuan.
Vite më parë, Kryebashkiaku Gonnelli kishte arritur një bashkëpunim me bizneset e veshjeve dhe sendeve shtëpiake për dhurimin e një pjese të produkteve të tyre për bamirësi.
“Kryebashkiaku na njoftonte vetë me telefon – ejani në dyqan. Ka veshje të reja këtu, të papërdorura”, tregon zonja Herasymenko.
Më 24 gusht, në ditën e pavarësisë së Ukrainës, zoti Gonnelli urdhëroi ngritjen e flamurit ukrainas, përkrah flamurit amerikan.
Ai thotë se flamuri do të vazhdojë të valëvitet në qendër të qytetit derisa Ukraina ta fitojë luftën./VOA

Top ChannelLexo me shume