Një shtet i zymtë_663a030b82f13.jpeg

Një shtet i zymtë

Vladimir Putin po krijon një lloj të veçantë fashizmi në Rusi. Kjo është arsyeja pse vendi i tij është një kërcënim i madh për Ukrainën, Perëndimin dhe vetë popullin rus, shkruan The Economist

 
Këto ditë, në Moskë, duket se gjithçka është e ndaluar. Askush nuk flet hapur për luftën në Ukrainë. Fjala “luftë” është e ndaluar dhe biseda për të është e rrezikshme.
E vetmja gjurmë e luftimeve që po zhvillohen 1000 km në jug të vendit, janë lavdet për ushtarët heroikë që kanë humbur jetën. E megjithatë, Rusia është në mes të një lufte.
Në Moskë, nuk ka as marshime me pishtarë. Shfaqjet e shenjës “Z”, gjysma e svastikas, që përfaqëson mbështetjen për luftën, janë të rralla. Trupat ushtarake nuk organizojnë pogrome.
Vladimir Putin, diktatori i Rusisë, nuk mbledh rreth vetes turma të rinjsh në ekstazë dhe nuk bën thirrje për mobilizim masiv. E megjithatë, Rusia është në prag të fashizmit.
Ashtu siç Moska e fsheh luftën e saj pas një “operacioni special ushtarak”, ajo fsheh edhe fashizmin e vet pas fushatës për të shfarosur “nazistët” në Ukrainë. Megjithatë, Timothy Snyder, profesor në Universitetin Yale, vë në dukje shenjat treguese: “Njerëzit nuk pajtohen mbi atë se çfarë konsiderohet fashizëm”, shkroi ai së fundmi në “New York Times”, “por Rusia e sotme e plotëson shumicën e kritereve”.
Kremlini ka ndërtuar një kult individi rreth Putinit dhe një kult rreth Luftës së Madhe Patriotike të viteve 1941-‘45. Regjimi i Putinit nuk arriti të rivendoste epokën e artë të humbur dhe “të shëronte” Rusinë.
Te lista e Snyder mund të shtojmë urrejtjen ndaj homoseksualizmit, fiksimin me familjen tradicionale dhe besimin fanatik në fuqinë e shtetit. Asnjë nga këto elemente nuk janë të natyrshme në një vend laik, me një brez të fortë anarkist dhe pikëpamje tolerante për seksin.
Të kuptosh se ku po drejtohet Rusia nën Putinin, do të thotë të kuptosh se si ka ardhur ajo deri këtu. Në pjesën më të madhe të sundimit të tij, Perëndimi e ka konsideruar Rusinë si një shtet mafioz, që kryeson një shoqëri të përçarë.
Kjo nuk ishte një ide e gabuar, por ishte e paplotë. Një dekadë më parë, popullariteti i Putinit filloi të binte. Ai u përgjigj duke u mbështetur në mendimin fashist që ishte rishfaqur pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Kjo mund të ketë filluar si një llogaritje politike, por Putini u përfshi në një cikël ankesash dhe pakënaqësish, që e kanë nxitur të kalojë kufirin e arsyes. Gjendja ka arritur kulmin në një luftë shkatërruese, që shumë menduan se nuk do të ndodhte kurrë, pasi ajo paraqiste shumë më tepër rreziqe se përfitime për Rusinë.
Nën formën e fashizmit të Putinit, Rusia po i drejtohet një rruge pa kthim. Pa retorikën e viktimizimit dhe përdorimit të dhunës, Putini nuk ka asgjë për t’i ofruar popullit të tij.
Për demokracitë perëndimore, ky drejtim do të thotë se, ndërsa ai është në pushtet, marrëdhëniet me Rusinë do të karakterizohen nga armiqësia dhe përbuzja. Disa në Perëndim duan që marrëdhëniet t’i rikthehen normalitetit, pasi të përfundojë lufta, por e vërteta është se nuk mund të ketë paqe të mirëfilltë me një Rusi fashiste.
Për Ukrainën, kjo nënkupton një luftë të gjatë. Qëllimi i Putinit nuk është vetëm të marrë territor, por edhe të shtypë idealin demokratik që po lulëzon në fqinjët e Rusisë dhe ndjenjën e tyre të identitetit të veçantë kombëtar.
Ai nuk mund ta përballojë humbjen. Edhe nëse ka një armëpushim, ai synon disfatën e Ukrainës, dhe një përdorim të ri të forcës nëse është e nevojshme.
Kjo do të thotë se ai do të përdorë dhunën dhe totalitarizmin për të imponuar vullnetin e tij në vend. Ai jo vetëm që synon të shkatërrojë një Ukrainë të lirë, por po bën gjithashtu luftë kundër ëndrrave të popullit të tij. Dhe, deri tani, po fiton.
 
Lufta është paqe
Çfarë është fashizmi rus? Fjala fashizëm përdoret shpesh vend e pa vend. Ajo nuk ka një përkufizim të ngurtë, por tipare kyçe janë ndjenjat e nacionalizmit të lartë, pakënaqësisë, një përzierje e xhelozisë dhe zhgënjimit të lindur nga poshtërimi.
Në rastin e Rusisë, burimi i këtij poshtërimi nuk është humbja kundër fuqive të huaja, por abuzimi që kanë pësuar njerëzit në duart e sundimtarëve të tyre. Të privuar nga liria dhe të frikësuar nga autoritetet, ata kërkojnë dëmshpërblim në një hakmarrje imagjinare ndaj armiqve të përcaktuar nga shteti.
Fashizmi përfshin shumë shfaqje (mitingje dhe uniforma), të mbushura me emocionin e dhunës. Në të gjitha variantet e tij, thotë zoti Snyder, fashizmi karakterizohet nga triumfi i vullnetit mbi arsyen.
Eseja e tij titullohet “Duhet ta themi. Rusia është fashiste”. Në fakt, të parët që folën për këtë, ishin vetë rusët. Një prej tyre ishte Yegor Gaidar, kryeministri i parë post-sovjetik. Në vitin 2007, ai vërejti se po ngrihej një ndjenjë kombëtare nga nostalgjia post-perandorake e Rusisë.
“Rusia po kalon një fazë të rrezikshme”, shkroi ai. “Ne nuk duhet të gënjehemi nga magjia e shifrave, por fakti që kishte një hendek 15-vjeçar nga rënia e Perandorisë Gjermane deri në ardhjen në pushtet të Hitlerit dhe 15 vite nga rënia e BRSS-së deri në Rusinë e tanishme, na bën të reflektojmë…”
Në vitin 2014, Boris Nemtsov, një tjetër politikan liberal, ishte i qartë: “Agresioni dhe mizoria nxiten nga televizioni, ndërsa përkufizimet thelbësore jepen nga mjeshtri paranojak i Kremlinit… Kremlini po kultivon dhe shpërblen instinktet më të ulëta të njeriut, duke provokuar urrejtje dhe luftime… Ky ferr nuk mund të përfundojë paqësisht”.
Një vit më vonë, Nemtsov, deri atëherë i etiketuar si “tradhtar i shtetit”, u vra pranë Kremlinit. Në intervistën e tij të fundit, disa orë para vdekjes, ai paralajmëroi se “Rusia po shndërrohet me shpejtësi në një shtet fashist. Tashmë kemi propagandë që i ngjan Gjermanisë naziste. Ky është vetëm fillimi…”
Askush nuk e ka sinjalizuar ndikimin në rritje të fashizmit, më tepër sesa vetë Putini dhe bashkëpunëtorët e tij. Larg rrugëve të begata të Moskës, Kremlini ka shënjuar tanke, njerëz dhe kanale televizive me shkronjën Z.
Gjysmë-svastika është pikturuar nëpër dyert e kritikëve rusë të filmit dhe teatrit, promovues të artit perëndimor “dekadent dhe të degjeneruar”. Disa pacientë spitali dhe grupe fëmijësh, të gjunjëzuar, janë pozicionuar për të formuar gjysmë svastika dhe fotot janë publikuar në internet.
 

Fashizmi
Askush nuk e ka sinjalizuar ndikimin në rritje të fashizmit, më tepër sesa vetë Putini dhe bashkëpunëtorët e tij. Larg rrugëve të begata të Moskës, Kremlini ka shënjuar tanke, njerëz dhe kanale televizive me shkronjën

 
Z. Gjysmë-svastika është pikturuar nëpër dyert e kritikëve rusë të filmit dhe teatrit, promovues të artit perëndimor “dekadent dhe të degjeneruar”. Disa pacientë spitali dhe grupe fëmijësh, të gjunjëzuar, janë pozicionuar për të formuar gjysmë svastika dhe fotot janë publikuar në internet.
Në vitet 1930, Walter Benjamin, kritik gjerman në mërgim, e analizoi fashizmin si një shfaqje. “Rezultati logjik i fashizmit është përfshirja e estetikës në jetën politike”, shkroi ai. Kjo estetikë krijohet për të zëvendësuar arsyen dhe shprehja e saj përfundimtare është lufta.
Sot dy “fytyrat e luftës” në televizion, Vladimir Solovyov dhe Olga Skabeeva, janë karikatura të propagandistëve nazistë. Solovyov shpesh vishet me një xhaketë të rëndë të zezë, të stilit bavarez.
Zonja Skabeeva ka një pamje dominuese. Ata projektojnë urrejtje dhe agresion. Së bashku me të ftuarit e tyre, e dënojnë Perëndimin se i ka shpallur luftë Rusisë dhe i luten në mënyrë teatrale Putinit që ta shndërrojë atë në hi, duke çliruar fuqinë e plotë të arsenalit bërthamor rus.
 

 
Armagedoni imagjinar
Ky Armagedon imagjinar shoqërohet nga dhuna e vërtetë, që është themeli i marrëdhënieve midis shtetit rus dhe popullit të tij. Një sondazh nga Levada, i porositur nga Komiteti Kundër Torturës (tani në listën e zezë të Rusisë), tregoi se 10% e popullsisë ruse ka përjetuar tortura nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
Ekziston një kulturë e mizorisë. Abuzimi në familje nuk është më një krim në Rusi. Në javën e parë të luftës, vajzat e reja që protestonin, u poshtëruan dhe u abuzuan seksualisht në qelitë e policisë. Gati 30% e rusëve thonë se tortura duhet të lejohet.
Mizoritë e kryera nga ushtria ruse në Bucha dhe qytete të tjera të pushtuara, nuk janë vetëm ekstreme të luftës apo një thyerje e disiplinës, por një tipar i rregullt i ushtrisë ruse që nxitet nga veteranët.
Brigada e 64-të e pushkatarëve, e cila dyshohet se kreu mizoritë, u nderua nga Putini me titullin “Roje” për mbrojtjen e “interesave të atdheut dhe shtetit” dhe u vlerësua për “heroizmin dhe guximin”. Brigada, me bazë në lindjen e largët, njihet në Rusi për ngacmimet dhe abuzimet e saj.
Ashtu si çdo gjë tjetër që karakterizon Kremlinin, fashizmi është një projekt nga lart-poshtë, një lëvizje nga elita në pushtet. Ai kërkon pranim pasiv dhe jo mobilizim të masave. Qëllimi i tij është të përçajë njerëzit dhe të parandalojë çdo formë të vetorganizimit. Kremlini dhe shefat e televizionit mund ta nxisin ose ta zbehin atë, sipas dëshirës.
Në vitet e para të Presidencës, Putini përdori paratë për t’i mbajtur njerëzit jashtë politikës. Pasi ekonomia ngeci në vitet 2011-‘12 dhe klasa e mesme urbane filloi të protestonte në rrugë për të kërkuar më shumë të drejta, ai nxiti nacionalizmin dhe urrejtjen. Gjatë qetësisë politike pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, fashizmi u venit po aq befasisht sa ç’kishte lindur.
Rigjallërimi i tij në vitet 2021-2022, pasoi rënien e legjitimitetit të Putinit, protestat kundër helmimit dhe arrestimit të Alexei Navalny, dhe zemërimin në rritje të rusëve të rinj që janë më pak të ndjeshëm ndaj propagandës televizive dhe më të hapur ndaj Perëndimit.
Për ta, Putini ishte një gjysh plak, hakmarrës dhe i korruptuar, i cili kishte një pallat sekret të ekspozuar nga filmi i Navalny-t, i hedhur në YouTube në vitin 2021. Kështu, Putinit i duhej të rriste sërish volumin e fashizmit dhe Ukraina ishte mjeti i volitshëm për këtë qëllim.
 

 
Liria është skllavëri
Fashizmi rus ka rrënjë të thella, duke shkuar deri në fillim të shekullit XX. Idetë fashiste lulëzuan në mesin e emigrantëve të bardhë pas revolucionit bolshevik dhe u ri-importuan pjesërisht në Bashkimin Sovjetik nga Stalini pas luftës.
Ai kishte frikë se një fitore mbi fashizmin, e fituar së bashku me Amerikën dhe Britaninë, do të fuqizonte dhe çlironte popullin e tij.
Kështu ai e ktheu suksesin sovjetik në triumfin e totalitarizmit dhe nacionalizmit perandorak rus. Ai i quajti aleatët e luftës si armiq dhe fashistë, të vendosur për të shkatërruar Bashkimin Sovjetik dhe për ta privuar atë nga lavdia.
Në dekadat më pas, fashizmi u kufizua nga ideologjia zyrtare komuniste dhe nga përvoja personale e rusëve që luftuan nazistët përkrah aleatëve perëndimorë. Megjithatë, pas rënies sovjetike, të dyja këto kufizime u zhdukën dhe ndjenjat e errëta u çliruan. Përveç kësaj, elita liberale e viteve 1990, hodhi poshtë vlerat e vjetra sovjetike, duke fshirë një traditë të fortë të letërsisë dhe arteve antifashiste.
Gjatë gjithë kësaj kohe, fashizmi po lulëzonte në fshehtësi, brenda KGB-së. Në fund të viteve 1990, Alexander Yakovlev, arkitekti i reformave demokratike nën Mikhail Gorbachev, foli hapur për shërbimet e sigurisë si një djep i fashizmit.
“Rreziku i fashizmit në Rusi është i vërtetë, sepse që nga viti 1917, ne jemi mësuar të jetojmë në një botë kriminale, me një shtet kriminal në krye. Banditizmi, i shenjtëruar nga ideologjia – ky formulim u shkon për shtat edhe komunistëve, edhe fashistëve”.
Kjo dukuri u shpalos edhe në “Shtatëmbëdhjetë momentet e pranverës”, një serial televiziv jashtëzakonisht popullor, me 12 pjesë, i realizuar me porosi të KGB-së, në vitet 1970. Në pamje të parë, seriali nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për të bërë tërheqëse në sytë e publikut policinë sekrete staliniste.
Yuri Andropov, asokohe shefi i KGB-së dhe më vonë udhëheqës sovjetik, donte të lëvdonte spiunët sovjetikë dhe të tërhiqte brezin e ri në shërbim. Programet ndihmuan në hyrjen e një estetike naziste në kulturën popullore të Rusisë – një estetikë që më vonë do të shfrytëzohej nga Putini.
Heroi i serialit është një spiun imagjinar sovjetik, i cili depërton në komandën e lartë naziste me emrin Max Otto von Stierlitz. Ai është një Standartenführer i rangut të lartë në SS, misioni i të cilit është të prishë një plan sekret të thurur midis CIA-s dhe Gjermanisë, afër fundit të luftës.
Të luajtur nga aktorët më të dashur sovjetikë, nazistët në film portretizohen mjaft njerëzorë dhe tërheqës. Vyacheslav Tikhonov, i cili luajti rolin e Stierlitz, ishte një model i përsosmërisë mashkullore. I gjatë dhe i pashëm, me mollëza të përsosura, ai shkëlqente i veshur me një uniformë të hijshme naziste.
Rusët e zakonshëm u magjepsën nga seriali. Dmitry Prigov, një artist dhe poet rus, shkroi: “Stierlitz-i ynë i mrekullueshëm është në të njëjtën kohë njeriu i përsosur fashist dhe njeriu i përsosur sovjetik, duke bërë kalime transgresive nga njëri karakter në tjetrin, me lehtësi të pagjurmueshme… Ai është pararojë e një epoke të re”.
Putini përfitoi shumë nga popullariteti i aktorit. Në vitin 1999, pak para se Putini të shpallej president i Rusisë, votuesit u thanë anketuesve se Stierlitz do të ishte një nga zgjedhjet ideale për postin, pas Georgy Zhukov, komandantit të Ushtrisë së Kuqe në Luftën e Dytë Botërore. Putini, një ish-spiun i KGB-së i cili kishte qenë i stacionuar në Gjermaninë Lindore, kishte kultivuar imazhin e një Stierlitz-i të ditëve moderne.
Kur VTSIOM e përsëriti sondazhin në vitin 2019, Stierlitz doli në vendin e parë. “Ka ndodhur një përmbysje”, thanë anketuesit. “Në vitin 1999, Putini ishte kandidati i preferuar sepse ai dukej si Stierlitz; në vitin 2019, imazhi i Stierlitz mbetet i rëndësishëm sepse po imitohet nga politikani më popullor i vendit”.
Më 24 qershor të këtij viti, një statujë e Stierlitz-it u shpalos përpara selisë së Shërbimeve të Inteligjencës së Jashtme (SVR), që ishte pjesë e KGB-së sovjetike.
Për Putinin, estetika fashiste përputhet me një filozofi të veçantë fashiste ruse. Ai dhe shumica e ish-bashkëmoshatarëve të tij të KGB-së, përqafuan kapitalizmin. Ata gjithashtu projektuan në të gjithë vendin poshtërimin që kishin pësuar në dekadën e parë post-sovjetike, duke e portretizuar fundin e Luftës së Ftohtë, si një tradhti dhe disfatë.
Heroi i tyre është Ivan Ilyin, mendimtar i fillimit të shekullit XX, i cili u dërgua në mërgim nga bolshevikët në vitet 1920 dhe përqafoi fashizmin në Itali dhe Gjermani.
Ilyin e shihte fashizmin si një “dukuri të domosdoshme dhe të pashmangshme… të bazuar në një ndjenjë të shëndetshme të patriotizmit kombëtar”. Ai pretendonte se fashistët duhej të ishin kujdestarë të shtetit. Si të tillë, ata kishin të drejtë të kontrollonin burimet e tij.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Ilyin i hodhi poshtë ato që i shihte si gabime të Hitlerit, si ateizmi, dhe krimet e tij, duke përfshirë shfarosjen e hebrenjve.
Por ai ruajti besimin në idenë fashiste të ringjalljes kombëtare. Në vitin 1948, ai shkroi se “fashizmi është një dukuri e ndërlikuar, e shumanshme dhe jetëgjatë”. Prandaj, Putini përqafoi fenë, hodhi poshtë antisemitizmin dhe shmangu udhëheqjen kolektive për sundimin e tij të drejtpërdrejtë.
Libri i Ilyin, “Detyrat tona”, u rekomandua nga Kremlini si lexim thelbësor për zyrtarët e shtetit në vitin 2013. Ai përfundon me një ese të shkurtër për një udhëheqës të ardhshëm rus. Demokracia dhe zgjedhjet e stilit perëndimor do të sillnin shkatërrim në Rusi, shkruan Ilyin. Vetëm “pushteti i bashkuar dhe i fortë shtetëror diktatorial” mund ta shpëtojë atë nga kaosi.
Vepra e Ilyin-it që Putini thuhet se e ka lexuar dhe rilexuar, është “Çfarë do të nënkuptonte për botën shpërbërja e Rusisë”, e shkruar në vitin 1950.
Autori argumenton se fuqitë perëndimore do të përpiqen “të kryejnë eksperimentin e tyre armiqësor dhe qesharak edhe në kaosin post-bolshevik, duke e paraqitur në mënyrë mashtruese si triumfin suprem të ‘lirisë’, ‘demokracisë’ dhe ‘federalizmit’… Propaganda gjermane ka investuar shumë para dhe përpjekje në separatizmin ukrainas (dhe ndoshta jo vetëm ukrainas)”.
Në vitin 2005, pas kryengritjes së parë popullore në Ukrainë, të njohur si Revolucioni Portokalli, Putini e quajti rënien e Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX. Duke u mbështetur në ndjenjat anti-ukrainase në Rusi, ai më pas e ktheu vendin kundër Perëndimit.
Në të njëjtin vit, trupi i Ilyin u kthye në Rusi nga Zvicra, ku ai kishte vdekur në mërgim në vitin 1954. Putini thuhet se e pagoi gurin e varrit me paratë e veta. Në vitin 2009, ai vendosi lule në varrin e Ilyin.
 
Injoranca është forcë
Fakti që Putini ka përqafuar metodat fashiste dhe mendimin fashist, është alarmues për pjesën tjetër të botës. Fashizmi funksionon duke krijuar armiq. Ai e bën Rusinë viktimën e guximshme të urrejtjes së të tjerëve, ndërkohë që justifikon ndjenjat e urrejtjes ndaj armiqve të saj realë dhe imagjinarë, brenda dhe jashtë vendit.
Dmitry Medvedev, publikoi së fundmi në rrjetet sociale: “I urrej ata. Janë bastardë dhe të degjeneruar. Ata duan që Rusia të vdesë… Do të bëj gjithçka që mundem për t’i zhdukur”. Nuk mori mundimin për të thënë se kë kishte në mendje. Por armiqësia e Rusisë ka tre objektiva: Perëndimin liberal, Ukrainën dhe tradhtarët brenda vendit.
Putini ka kërkuar prej kohësh që të dëmtojë demokracitë perëndimore. Ai ka mbështetur partitë e ekstremit të djathtë në Europë, si Frontin Kombëtar në Francë, Fidesz në Hungari dhe Ligën e Veriut në Itali. Ai ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, duke shpresuar të ndihmojë Donald Trump të mposhtë demokratët.
Edhe nëse luftimet ndalojnë në Ukrainë, përkrahësi i zjarrtë i Ilyin që ndodhet në Kremlin, nuk do të vendosë paqe me demokracitë perëndimore. Putini dhe njerëzit e tij do të bëjnë gjithçka që munden për të luftuar liberalizmin dhe për të shkaktuar përçarje.
Për shekuj, Rusia ka qenë pjesërisht europiane, por Kirill Rogov, analist politik, shkroi kohët e fundit se lufta në Ukrainë i mundësoi Putinit të heqë atë pjesë të identitetit të saj.
Për sa kohë që Putini është në pushtet, Rusia do të ndërtojë aleanca me Kinën, Iranin dhe vende të tjera antiliberale. Ajo do të jetë, si gjithmonë, në pararojë ideologjike.
Perspektiva për Ukrainën është edhe më e zymtë. Disa javë pas fillimit të luftës, agjencia shtetërore e lajmeve, Ria Novosti, botoi një artikull që bënte thirrje për spastrimin e “komponentit etnik të vetidentifikimit midis njerëzve që popullojnë territoret historike në Malorossia dhe Novorossia [Ukrainë dhe Bjellorusi]”.
Putini tha se Ukraina është burimi i viruseve vdekjeprurëse, shtëpia e laboratorëve biologjikë të financuar nga Amerika që eksperimentojnë me variantet e koronavirusit dhe kolerës. “Armët biologjike po krijohen në afërsi të drejtpërdrejtë me Rusinë”, paralajmëroi ai.
Në televizionin shtetëror rus, ukrainasit quhen krimba. Në një ‘talk show’ të kohëve të fundit, Solovyov tha me shaka: “Kur një mjek është duke pastruar një mace nga krimbat, për mjekun është një operacion special, për krimbat është një luftë dhe për macen është spastrim”. Margarita Simonyan, shefja e RT, rrjetit televiziv ndërkombëtar të kontrolluar nga shteti, deklaroi se “Ukraina nuk mund të vazhdojë të ekzistojë”.
Qëllimi i pushtimit nuk është vetëm kapja e territorit, por heqja e identitetit të veçantë të Ukrainës, e cila kërcënon identitetin e Rusisë si një komb perandorak.
Së bashku me forcat e tij ndëshkuese, Kremlini ka dërguar edhe qindra mësues shkollash për të riedukuar fëmijët ukrainas në territoret e pushtuara. Ajo e barazon një Ukrainë të pavarur sovrane, me nazizmin. Ose Ukraina duhet të pushojë së ekzistuari si shtet kombëtar, ose Rusia do të infektohet nga ideja e emancipimit që do të shkatërrojë identitetin e saj perandorak.
Më e zymta nga të gjitha është perspektiva për Rusinë. Putini nuk kishte në plan një luftë rrënuese. Ai mendonte se një goditje në Kiev do të çonte me shpejtësi në një regjim të ri në Ukrainë dhe nënshtrimin e shoqërisë ukrainase ndaj vullnetit të tij. Deri tani, Putini nuk ka arritur të mposhtë Ukrainën. Por ai ia doli të mposhtë Rusinë.
Biseda për kontaminimin dhe spastrimin, nuk i drejtohet vetëm Ukrainës. Rusia përmban edhe elemente të tjera të huaja – “tradhtarë që hanë molusqe dhe foie gras, që jetojnë mendërisht në Perëndim dhe janë të infektuar me idetë e fleksibilitetit gjinor”.
Populli rus, deklaroi Putini në një fjalim televiziv, “thjesht do t’i pështyjë këta njerëz si të ishin insekte” duke çuar në “një vetëdetoksifikim natyror dhe të domosdoshëm të shoqërisë”.
Ashtu si Stalini, Putini nuk ka besim te populli dhe i druhet atij. Njerëzit duhet të kontrollohen, të manipulohen dhe, kur është e nevojshme, të shtypen.
Ai i përjashton ata nga vendimmarrja reale. Siç argumenton sociologu rus Greg Yudin, njerëzit nevojiten për ritualin e zgjedhjeve që demonstron legjitimitetin e sundimtarit, por pjesën tjetër të kohës, ata duhet të jenë të padukshëm. Zoti Yudin e quan këtë qëndrim “thirrja e njerëzve sipas nevojës”.
Lufta ndryshoi gjithçka. Siç i tha Hitleri Goebbels-it në pranverën e vitit 1943, “lufta… na bëri të mundur zgjidhjen e një sërë problemesh që nuk mund të zgjidheshin kurrë në kohë normale”.
Pas luftës, Putini ishte menjëherë në gjendje të impononte sundim ushtarak dhe censurë de-facto. Ai bllokoi Facebook, Twitter dhe Instagram dhe çdo media të pavarur që kishte mbetur, izoloi vendin nga ndikimi helmues perëndimor dhe përndoqi këdo që kundërshtonte luftën brenda vendit. Çdo deklaratë publike që sfidon versionin e Kremlinit për ngjarjet në Ukrainë, dënohet me 15 vite burg.
Gregory Asmolov, nga King’s College në Londër, argumenton se ky realitet i ri politik ishte i paimagjinueshëm disa muaj më parë dhe është arritja më e rëndësishme e Kremlinit në konflikt.
Lufta i ka mundësuar Putinit të shndërrojë Rusinë në atë që Asmolov e quan një “shoqëri të shkëputur”. Ai shkroi: “Këto përpjekje drejtohen nga ideja se është e pamundur të mbrohet legjitimiteti i brendshëm i udhëheqjes aktuale dhe të mbahen qytetarët besnikë, nëse Rusia mbetet relativisht e hapur dhe e lidhur me sistemin e rrjetit global”.
Deri tani, qëllimi i Putinit ka qenë të paralizojë shoqërinë ruse dhe jo të mbledhë rreth vetes turmat. Shfaqja e unitetit dhe e mobilizimit arrihet nga media ruse, që vepron në hapësirën informative duke eliminuar zërat alternativë.
Në mesin e shikuesve të televizionit – kryesisht njerëzit mbi 60 vjeç – më shumë se 80% e mbështesin luftën. Midis 18-24-vjeçarëve, që i marrin lajmet nga interneti, kjo shifër është më pak se gjysma.
Kjo është ndoshta arsyeja pse përfaqësuesit simbolikë të operacionit Z, nuk janë burra dhe gra në moshë pune, por një babushka me një flamur të kuq dhe një “nip” tetëvjeçar (të pikturuar nëpër murale dhe të stampuar në mbështjellëset e çokollatave). Ata janë teleshikuesit idealë të televizionit rus.
Ndërthurja e frikës dhe propagandës, sjell atë që zoti Rogov e quan një “konsensus të imponuar”. Shteti publikon sondazhet e opinionit që tregojnë se shumica e rusëve mbështesin “operacionin special ushtarak”. Arsyeja kryesore pse njerëzit mbështesin Putinin është se ata mendojnë se gjithë të tjerët e mbështesin gjithashtu.
Nevoja për të ndier se përket diku është e fuqishme. Edhe kur njerëzit kanë qasje në informacion, ata “thjesht e shpërfillin atë, ose e racionalizojnë, vetëm për të shmangur shkatërrimin e konceptit që kanë mbi veten, vendin dhe pushtetin… të krijuar nga propaganda”, vëren Elena Koneva, një sociologe.
Motori i fashizmit nuk ka marsh mbrapa. Putini nuk mund të kthehet në një autoritar të mbështetur në realitet. Imperializmi është në natyrën e tij. Shteti rus do të kërkojë të zgjerohet si gjeografikisht, ashtu edhe në jetën private të njerëzve.
Ndërsa lufta zvarritet dhe viktimat shtohen, pyetja është nëse Putini mund të mobilizojë shumicën pasive të popullsisë. Elitat në Kremlin, ushtria dhe shërbimet e sigurisë, do të vështrojnë nga afër.
 
Dy plus dy bëjnë katër
Victor Klemperer, një çifut gjerman që luftoi në Luftën e Parë Botërore dhe i mbijetoi së Dytës, shkroi se “nazizmi përshkoi mishin dhe gjakun e njerëzve përmes fjalëve, shprehjeve dhe strukturave të fjalive që iu imponuan atyre përmes një milion përsëritjeve”. Libri i tij, “Gjuha e Rajhut të Tretë”, përshkruan se si parashtesa ent- (de-) fitoi rëndësi në Gjermani gjatë luftës.
Ndërsa tanket ruse sulmuan Ukrainën në orët e para të mëngjesit më 24 shkurt, Putini filloi luftën e tij kundër Ukrainës me të njëjtën parashtesë. Qëllimi, tha ai, është denatsifikatsia (de-nazifikimi) dhe demilitarizatsia (demilitarizimi).
Ria Novosti, agjencia shtetërore e lajmeve, shtoi më vonë se “Denazifikimi në mënyrë të pashmangshme do të jetë gjithashtu de-ukrainizimi”.
“Gjermania pothuajse u shkatërrua nga nazizmi”, shkroi Klemperer, “Shërimi i saj nga kjo sëmundje fatale, sot quhet “de-nazifikim”. Shpresoj, dhe vërtet besoj, se kjo fjalë e tmerrshme… do të shuhet dhe do të jetë thjesht një ekzistencë historike sapo të ketë kryer detyrën e saj aktuale…
Por kjo nuk do të ndodhë edhe për ca kohë, sepse nuk duhet të zhduken vetëm veprimet e nazistëve, por edhe…mënyra tipike e të menduarit nazist dhe mjeti i përhapjes së tij: gjuha e nazizmit”.
Përktheu: Lira Muça

Burimi