“Një strategji ushtarake”, OKB: Rusët po përdhunojnë burra, gra dhe fëmijë

Përdhunimet dhe sulmet seksuale që dyshohet se janë kryer nga forcat ruse në Ukrainë përbëjnë “një strategji ushtarake” dhe “një taktikë të qëllimshme “, tha përfaqësuesja speciale e OKB-së Pramila Patten, shkruajnë mediat e huaja.

“Kur gratë dhe vajzat mbahen me ditë të tëra dhe dhunohen, kur fillon të përdhunosh djem të vegjël dhe burra, kur sheh një sërë rastesh të gjymtimit gjenital, kur dëgjon dëshmi të grave që flasin për ushtarë rusë që pinë viagra, është e qartë një strategji ushtarake.

Në raport thuhet se rastet e para të dhunës seksuale u raportuan “tre ditë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës”, më 24 shkurt.

Përfaqësuesi special që nga viti 2017 i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për çeshtjet e lidhura me dhunën seksuale në kohë konflikti, Patten udhëtoi në Paris ditën e djeshme për të nënshkruar një marrëveshje partneriteti me OJQ-në Bibliothèques Sans Frontières për të mbështetur viktimat e dhunës seksuale në kohë konflikti.

OKB-ja ka verifikuar “më shumë se 100 raste” të përdhunimeve dhe sulmeve seksuale në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

“Është shumë e vështirë të kemi statistika të besueshme gjatë një konflikti dhe shifrat nuk pasqyrojnë kurrë realitetin, sepse dhuna seksuale është një krim i heshtur, nënvizon ajo duke folur për frikën nga hakmarrja dhe stigmatizimi.

“Rastet e raportuara janë vetëm maja e ajsbergut”, tha ajo. Viktimat janë kryesisht gra dhe vajza, por edhe djem e burra, tha ekspertja e OKB-së.

Ky raport “konfirmoi krimet kundër njerëzimit të kryera nga forcat ruse, dhe sipas dëshmive të mbledhura, moshat e viktimave  janë nga 4 deri në 82 vjeç.

Përdhunimi si armë lufte

Përdhunimi si armë lufte ekziston në të gjitha konfliktet, nga Bosnja në Guine ose në Republikën Demokratike të Kongos, por sipas Patten, lufta në Ukrainë ishte shkas për  “ndërgjegjësim” ndërkombëtar.

Një tjetër shqetësim i madh për përfaqësuesin e OKB-së është rreziku i trafikimit të qenieve njerëzore.

“Gratë, vajzat dhe fëmijët që po largohen nga Ukraina janë shumë të rrezikuara dhe, për autorët, nuk është një tragjedi që po ndodh në këtë vend, është një mundësi. Trafikimi i qenieve njerëzore është një krim por edhe një krizë e madhe”, paralajmëroi ajo.

Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt, të paktën 7.6 milionë ukrainas janë regjistruar si refugjatë në të gjithë Europën.

/abcnews.al

 

Lexo me shume