OKB: Haiti po përballet me katastrofë humanitare

Kombet e Bashkuara janë duke paralajmëruar që uria në një prej lagjeve më të mëdha të Haitit, është në nivele katastrofike dhe se dhuna e bandave është duke përkeqësuar edhe më shumë situatën.

 

Rreth 20.000 banorë në rajonin Cite Soleil të kryeqytetit të Haitit, kanë shumë pak qasje në ushqim dhe mund të përballen me uri të skajshme, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

 

Në gjithë Haitin është thënë se pesë milionë njerëz janë duke u përballur me kequshqyerje.

 

“Haiti po përballet me katastrofë humanitare”, ka thënë Jean-Martin Bauer, drejtor për Haitin në Programin e OKB-së për Ushqim.

 

“Situata me pasigurinë e ushqimit në Haiti është duke u përkeqësuar”, ka thënë ai.

 

Ky shtet – më i varfri në kontinentin amerikan – është duke u përballur me krizë të rëndë politike, ekonomike, shëndetësore dhe atë të sigurisë, çka ka ndikuar në paralizim të sistemit.

 

Bandat e fuqishme vazhdojnë të bllokojnë terminalin kryesor të naftës, duke rezultuar me mungesa në furnizim me ushqim dhe ujë të pijshëm.

 

Më herët gjatë kësaj jave, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë në këtë shtet janë regjistruar 16 vdekje nga kolera dhe janë konfirmuar 32 raste tjera.

 

Një zyrtar i OKB-së ka thënë se 100.000 fëmijë nën moshën pesëvjeçare, që kequshqehen, janë të cenueshëm ndaj kolerës.

 

Kryeministri i Haitit, Ariel Henry ka kërkuar ndihmë të jashtme ushtarake për të ndihmuar në stabilizim të situatës.

 

Megjithatë ai është kritikuar nga disa banorë të vendit të tij, me arsyetimin se një thirrje e tillë përbën ndërhyrje të jashtme.

 

Haiti është një prej vendeve më të varfra në botë.

 

Ky vend së fundi është përballur me një mori krizash, por ndër më të mëdhatë ka qenë ajo e vrasjes së presidentit, Jovenel Moise, në korrik të vitit 2021.

 

Ndërkohë Haiti është përballur edhe me një tërmet që ka lënë të vdekur më shumë se 2.200 njerëz./rel

Lexo me shume