Operacionet blic të FNSH dhe RENEA, arrestohen 168 persona, 274 nën hetim

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e punës së një jave duke zbuluar se në 7 ditë ka kreyar 4 megaoperacione në Lezhë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

Gjithashtu kujton se është sekuestruar në Tiranë, pasuria me vlerë 5 milionë euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, si dhe sekuestrohen në Fier, 18 380 euro, të dyshuara të përfituara nga shitja e narkotikëve.

Njoftimi i plotë:

Të gjitha strukturat në terren, të angazhuara 24/7, me mjete të logjistikës bashkëkohore, për të parandaluar e goditur krimin dhe paligjshmëritë, si dhe për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura më parë.

4 megaoperacione policore të finalizuara gjatë kësaj jave nga DVP-të Lezhë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

-Finalizimi i megaoperacionit “Pritja”, pas një periudhe intensive hetimore, zbardh vrasjen e një 16-vjeçari, të ndodhur në Kurbin, në vitin 2015.

-192.5 kg kanabis, 456 bimë kanabisi të sekuestruara, si dhe 26 shtetas të vënë në pranga, në kuadër të megaoperacionit “Qarku”, të zhvilluar në 5 faza.

-Arsenal armësh, shuma të mëdha parash, 3.6 kg kanabis dhe bimë opiumi, të sekuestruara 2 shtetasve të arrestuar si rezultat i megaoperacionit “Dëshiran”.

-1287 lloje të ndryshme medikamentesh të kontrabanduara, të gjetura në farmacinë dhe në banesën e 2 bashkëshortëve të arrestuar dhe të të sekuestruara në kuadër të megaoperacionit “Storage”.

Bashkëpunim intensiv me partnerët, për goditjen e krimeve ndërkombëtare, si dhe për kapjen e të kërkuarve ndërkombëtarisht.

-Operacioni ndërkombëtar i përbashkët me policinë turke “Përtej kufijve”, finalizohet me sekuestrimin e armëve të zjarrit, sasive të drogave të ndryshme dhe bimëve narkotike.

-Koordinimi i Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese amerikane vë në pranga një shtetas indian, të shumëkërkuar nga SHBA-ja, për trafik narkotikësh.

-Sekuestrohen në Tiranë, pasuri me vlerë 5 milionë euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale, si dhe sekuestrohen në Fier, 18 380 euro, të dyshuara të përfituara nga shitja e narkotikëve.

Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar 471 shtetas, nga këta: 168 janë arrestuar, 274 janë proceduar penalisht dhe 29 janë shpallur në kërkim.

Janë lokalizuar dhe kapur 33 shtetas në kërkim, nga të cilët 32 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.

Janë finalizuar në total 33 operacione dhe megaoperacione policore, për goditjen e paligjshmërive në fusha të ndryshme.

Në fushën e narkotikëve janë realizuar një sërë goditjesh, operacionesh dhe megaoperacionesh policore në të gjithë vendin. Si rezultat i tyre janë sekuestruar rreth 206 kg kanabis, 456 bimë kanabisi, 75 bimë opiumi, doza kokaine/heroine dhe janë vënë në pranga 43 shtetas.

Edhe në fushën e armëmbajtjes pa leje janë finalizuar operacione dhe megaoperacione  policore. Janë sekuestruar 12 armë zjarri, 1 silenciator, krehra armësh, municion luftarak, 7 granata, 6 armë gjahu, 1 armë sportive e 3 thika, si dhe janë vënë në pranga 13 shtetas, si posedues të tyre.

Gjithashtu, megaoperacione dhe operacione policore janë zhvilluar për goditjen e kontrabandës, në Tiranë dhe në Vlorë. 6 shtetas në pranga, 1287 lloje të ndryshme medikamentesh të kontrabanduara dhe 86 celularë të kontrabanduar, të sekuestruara në total.

Dhjetëra raste të vënies përmes celularëve të basteve sportive, të goditura në çdo qark të vendit. 23 shtetas të vënë në pranga për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Janë goditur dhe zbardhur nga DVP-të Tiranë, Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan, një sërë vjedhjesh, autorët e dyshuar të tyre të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, si dhe 18 videoprojektorë e sende të tjera të vjedhura, janë gjetur dhe janë sekuestruar.

U vu në pranga, në kuadër të “Road Guard 44”, 30-vjeçari që transportonte kundrejt fitimit, 4 emigrantë nga vendet MENA, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë evidentuar dhe goditur gjithashtu, 26 raste të krimeve mjedisore dhe 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Policia Rrugore/Monitorim i pandërprerë i qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit, nëpërmjet mjeteve inteligjente, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

•Si rezultat i monitorimeve, janë pezulluar në total 743 leje drejtimi, nga të cilat: 614 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 98 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 31 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

•Përmes përdorimit të alkool-testuesve dhe si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, janë arrestuar 103 drejtues mjetesh, nga këta: 51 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 52 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

•Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 5 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 4 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Kufitare/Kontrolle intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Të angazhuar për t’iu ofruar qytetarëve në hyrje/dalje, në pikat e kalimit kufitar, shërbim sa më cilësor.

•Në bashkëpunim me DVP-të përkatëse, janë goditur 8 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

•Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, 3 shtetas për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 shtetas për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”, 1 shtetas për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe 1 shtetas tjetër për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Lexo me shume