“Pasaportat e arta,” flet për Abc eurodeputetja Juknevičienė: Legalizim i korrupsionit

Nga Erisa Zykaj

Intervistë eksluzive për ABC me Rasa Juknevičienė, përfaqësuese e grupimit më të madh politik në Parlamentin Europian, Partisë Popullore Europiane (EPP), pas publikimit të paketës së zgjerimit nga Komisioni Europian.

Në këtë intervistë, euro-deputetja Rasa Juknevičienė shprehet, se Shqipëria duhet të lerë pas “markën e keqe” të korrupsionit, që nuk e ndihmon vendin të afrohet më shumë me BE-në. Sipas saj, skema e “pasaportave të arta” është një lloj legalizimi i korrupsionit.

Ajo thotë, se ndryshimin ne Shqipëri pritet ta sjellë brezi i ri në bazë të vlerave dhe parimeve europiane, si në vendin e saj, Lituanisë. Eurodeputetja Juknevičienė shprehet më tej, se në Lituani qytetarët janë të shokuar kur shohin qëndrimin e Serbisë ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe se Serbia nuk mund të jetë përkrah agresorin nëse do të vazhdojë perspektivën e anëtarësimit në BE.

Lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd, eurodeputetja thotë, se është një tango që duhet kërcyer nga të dyja palët dhe nuk pse të jetë vetëm Kosova që të bëjë detyrat e shtëpisë nëse s’ka vullnet të mirë nga Serbia

INTERVISTA 

Në raportin për Shqipërinë, Komisioni Europian nënvizon problemin e korrupsionit si një shqetësim serioz në nivelin politik apo atë prokurimit publik. A e ndan partia popullore këtë shqetësim?

“Sigurisht që po. Korrupsioni është një problem shqetësues në shumë vende, por në Shqipëri ky fenomen i ka rrënjët e thella. Nuk bëhet fjalë vetërm për qeverinë, politikanët, por aty ka peshë edhe e shkuara e vendit. Ndoshta në Shqipëri gjërat që ndodhin nuk merren si korrupsion, por në vendet Skandinave për shembull është e qartë, që kjo do të evidentohej si korrupsion. Ndryshimi thelbësor midi nesh si Lituanezë me vendet e tjera si ato të Veriut të Europës, ishte pikërisht e shkuara jonë komuniste apo bolshevike. Eshtë brezi i ri që bëri diferencën në bazë të vlerave dhe parimeve europiane. Mendoj, se e njëjta gjë do ndodhë në Shqipëri. Sigurisht që përgjegjësia mbetet te politikanët. Dhe kjo varet shumë nga liderët kryesorë të vendit. Duhet zero korrupsion në jetën e përditshme dhe zero korrupsion në jetën politike të vendit. Shqipëria duhet të ndjekë eksperiencat më të mira politike në BE. I uroj Shqipërisë të marrë ekspertët më të mirë në nivelin e brendshëm dhe nga jashtë për t’a lënë pas këtë “ markë të keqe” që rëndon mbi vendin. Unë kam qenë në Shqipëri dhe më pëlqejnë shumë njerëzit. Por fatkeqësisht nuk mund të fshihet, se ” marka e korrupsionit” mbizotëron disa herë për vendin dhe nuk e ndihmon atë të afrohet më shumë me BE-në,” shprehet Rasa Juknevičienė.

Komisioni Europian i kërkon qeverisë shqiptare të tërhiqet nga pasaportat e arta, apo vizat e arta. Parlamenti Europian aprovoi këtë vit një nismë legjislative në këtë drejtim. Për çfarë bëhet fjalë?

Rasa Juknevičienė, eurodeputete: “Kjo lidhet fort me pyetjen tuaj të mëparëshme, korrupsionin. Ky është një lloj “legalizim i korrupsionit” dhe është problem për sigurinë veçanërisht kur flasim për oligarkët rusë, që mund të blejnë këto pashaporta. Mendoni, se ç’impakt kanë këto “pasaporta të arta” në zonën Shengen. Eshtë e papranueshme që të blesh sistemin e vlerave europiane me para. Shqipëria ka marrë shembull të kaq nga disa vendet të Jugut të Europës. Për ne është e papranueshme. Parlamenti Europian është i bashkuar kundër kësaj skeme”.

Grupimi i partisë popullore europiane shpalli një qëndrim shumë të rreptë ndaj Serbisë. Pse ky ndryshim?

Rasa Juknevičienė, eurodeputete: “Nuk ka ndryshuar partia popullore europiane. Ka ndryshuar Serbia. Sot në kontinentin europian është momenti i të vërtetës. Nuk mund thjesht të ulesh e shohësh përreth teje, apo të mbështesësh agresorin. Të paktën, në vendin tim, Lituani, njerëzit janë të shokuar kur shohin qëndrimin e Serbisë. E kuptoj historinë dhe gjithçka tjetër, por sot nuk është çështje historie. Sot çështja qëndron te e vërteta, tmerret, agresioni kundër një vendi dhe qytetarëve të tij, që dëshirojnë thjesht të jetojnë me vendet e tjera europiane. Qëndrimi i Serbisë është vërtet shqetësues dhe nuk ka rrugë tjetër për grupimin tonë përveçse t’ I kritikojmë”.

A mendoni se Bashkimi Europian duhet të pezullojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë për këtë ?

Rasa Juknevičienė, eurodeputete: “Serbia e mori mesazhin. I takon vendit të vendosë.”

A mendoni që liberalizimi i vizave për Kosovën është hapi i duhur për t’a nxitur vendin të korrë rezultate në gjetjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë?

Rasa Juknevičienė, eurodeputete:  “Kjo tango duhet kërcyer nga të dyja vendet. Nuk ka pse të jetë vetëm Kosova që të bëjë detyrat e shtëpisë nëse s’ka vullnet të mirë nga Serbia. Dua të shoh politikanët nga të dyja palët të kuptojnë momentumin që kanë para tyre. Ne lituanezët dhe polakët kemi pasur shumë probleme në të shkuarën jo shumë të largët. Dhe shpresoj, që rasti ynë të shërbejë si shembull për të tjerët për të zgjidhur problemet historike dhe të jetojnë bashkë në të ardhmen. Nuk do të ketë ndryshim për kosovarët apo serbët, se ku do jetojnë nga momenti që do jetojnë së bashku në Bashkimin Europian, pa viza, pa kufi, ku do të bashkëpunojnë dhe shijojnë jetën.”  /abcnews.al/

Lexo me shume