Pedagogët vijojnë grevën, letër të hapur krerëve të shtetit dhe ambasadave

Pedagogët kanë vijuar edhe ditën e sotme protestën e tyre. Pedagogët kanë deklaruar nëse nuk do të ketë rritje të pagave, ata do të vijojnë protestën.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi lexoi edhe një letër të hapur dërguar Presidentit të Republikës, kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, si dhe disa prej ambasadave kryesore të akredituara në Tiranë, ku i informon lidhur me kërkesat dhe vendosmërinë për të vijuar grevën deri në plotësimin e tyre.

Ndër të tjera, pedagogët kërkojnë rritjen e pagave me 30 përqind këtë vit dhe 20 përqind vitin tjetër.

Ndërkohë që qeveria ka bërë të ditur se nuk do të ketë rritje tjetër veç asaj që është miratuar tashmë në nivelin e 15 përqindve.

RAPORTIMI I GAZETARES DORINA HALILI:

Pyetje: Si duket pjesëmarrja ditën e sotme dhe çfarë kërkojnë organizatorët?

Gazetarja Dorina Halili: Është kjo protesta e dytë kombëtare e pedagogëve, po mbahet aktualisht në këto momente përballë Universitetit Politeknik. Janë të shumtë pedagogët ata që kanë zgjedhur që dhe ditën e sotme të vijojnë protestën. Kjo protestë ka filluar që prej orës 11:00, është protesta e dytë kombëtare dhe kjo java është java e dytë e protestave të pedagogëve. Javën e kaluar që përkonte dhe me nisjen e vitit të ri akademik po ashtu pati protesta dhe bojkot të procesit mësimor. Pedagogët janë shprehur të vendosur se do t’i vijojnë këto protesta deri sa të marrin një përgjigje përfundimtare nga qeveria për kërkesat që në fakt kanë parashtruar me rritjen e pagave 30% këtë vit dhe 20% vitin e ardhshëm.

Pyetje: Ndërkohë që pedagogët janë në protestë, çfarë po ndodh më mësimin në universitete? A po vijon?

Gazetarja Dorina Halili: Janë të ndarë edhe pedagogët pasi në disa fakultete dhe universitete, procesi mësimor ka vijuar, ndonëse në disa prej tyre edhe pjesërisht ka pedagogë që kanë dhënë mësim por edhe kanë zgjedhur që të protestojnë. Ndërkohë, ditën e sotme në këtë protestë kombëtare, sindikata e universiteteve ka zgjedhur që të drejtojë një letër të hapur drejt Presidentit, Kryeministrit, organeve drejtuese të qeverisë, po ashtu edhe ambasadave, asaj britanike, të BE ku thuhet se kërkesat e pedagogëve janë për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Po ashtu, drejtuar Kryeministrit, kjo sindikatë në letrën e hapur i ka kërkuar që t’i marrë seriozisht kërkesat e tyre për të përmbyllur kështu edhe këtë bojkot që ka vijuar prej 1 jave.

Tv Klan

Lexo me shume