Për herë të parë Bombonera feston për Riverin, Boca fiton titullin falë ndihmës së armiqve të përbetuar

Ndodh gjithçka në javën e fundit të kampionatit në Argjentinë. Boca Juniors fiton titullin në frymën e fundit teksa nuk kishin asgjë në duart e tyre.

Boca nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Indepediente, ndërsa festa shpërtheu vetëm pasi u mësua rezultati në ndeshjen mes River Plate dhe Racing Club.
Këta të fundit luanin për titull dhe nëse fitonin ndaj Riverit, do të ishin shpallur kampionë të Argjentinës. Por, për ta bërë edhe më dramatike situatën mendoi portieri i River Plate, Franco Armani. Në minutën e 90-të, teksa rezultati ishte mbërthyer në shifrat 1-1, Racing Club fiton një penallti. 36-vjeçari i përfaqësueses argjentinase bën mrekullinë teksa mbajti në fuqi rezultatin 1-1 ndërsa në limitet e ndeshjes, Riveri shënoi edhe golin e dytë duke fituar 2-1, e duke ia servirur kështu në pjatë të argjendë titullin rivalëve të përbetuar të Boca Juniors që e mbyllën kampionatin me vetëm dy pikë avantazh ndaj Racing.

Me të mbaruar ndeshja e River, në stadiumin e famshëm Bombonera shpërtheu festa ku sigurisht për herë të parë, aty është festuar edhe për Riverin, që i dha asistin e titullit Bocas. Një titull që me siguri do të mbahet mend gjatë pasi përpara ndeshjeve, pritej që skenari të ishte ndryshe, por River zbatoi deri në fund manuelin e një klubi profesionist.

Top ChannelLexo me shume