Përfaqësuesit e asamblesë së KiE ‘bojkotuan’ darkën e Ramës, reagon kryeministri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas refuzimit të ftesës nga disa anëtarë të EPP/EDC që të merrnin pjesë në darkën e organizuar nga Shqipëria në Strasburg. Në deklaratën e tyre anëtarët e EPP/EDC thanë se nuk do të merrnin pjesë në darkë pasi u ndien të fyer nga deklarata e bëra nga kryeqeveritari Rama. Sot Rama tha se askush nuk mund të ndihet mirë kur dëgjon histori horrori dhe sajesash për trafik organesh.

“Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg,megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja.E mirëkuptueshme.S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve! Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri.

Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra”, shkruan Rama.

 

Lexo me shume