Përplasje SHBA-Arabi Saudite për naftën

Uashingtoni ka paralajmëruar pasoja në marrëdhëniet me sauditët

Arabia Saudite është vendosur në qendër të një furtune diplomatike që Uashingtoni po drejton ndaj aleatëve të Rusisë për nxitjen e një lufte energjetike, ndërsa ekonomia globale ndodhet në prag të recensionit.

Riadi tha të enjten se kërkesa e Uashingtonit për ta shtyrë me një muaj uljen e prodhimit do të kishte pasur pasoja negative ekonomike. Shtëpia e Bardhë u kundërpërgjigj duke thënë se u kishte paraqitur sauditëve një analizë ku tregohej se ulja e prodhimit të naftës mund të dëmtojë ekonominë botërore, si dhe aludoi se sauditët u kanë bërë presion edhe vendeve të tjera anëtare për ta votuar këtë vendim. Zyrtarë nga të dyja vendet pritet ta diskutojnë situatën së shpejti.

Shkëmbimet kanë krijuar një ftohje të marrëdhënies mes dy vendeve, të cilat kanë pasur prej dekadash një aleancë të bazuar tek marrëdhënia “energji në këmbim të sigurisë”.

OPEC+, grupi i vendeve prodhuese që përfshin vendet e organizatës OPEC dhe Rusinë, njoftoi javën e kaluar se do të shkurtojë me 2 milionë fuçi në ditë nivelin e prodhimit, pas disa javësh lobimi nga zyrtarët amerikanë kundër një vendimi të tillë.

Vendimi i OPEC+ ka krijuar shqetësim në Uashington për mundësinë e rritjes së mëtejshme të çmimeve të karburantit përpara zgjedhjeve të mesmandatit që zhvillohen në muajin nëntor, kur demokratët do të përpiqen të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit.

Presidenti amerikan Joe Biden u zotua më herët këtë javë se “do të ketë pasoja” për marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite pas vendimit të grupit OPEC+. I pyetur të enjten për situatën, Presidenti Biden u tha gazetarëve se “do të flasim me ta”.

Vendimi i OPEC+ u mor me konsensus, pasi mori parasysh balancën e ofertës dhe kërkesës, dhe synon të qetësojë luhatjet e tregut, tha ministria e jashtme saudite në një deklaratë të enjten.

Deklarata e ministrisë saudite përmend konsultimet me Shtetet e Bashkuara përpara takimit të grupit OPEC+ të mbajtur më 5 tetor, kur iu kërkua të shtyjë me një muaj uljen e prodhimit të naftës.

Departamenti amerikan i Energjisë tha të enjten se vendimi i OPEC-ut mund të përkeqësojë kërkesën, duke thënë se “çmimet e rritura të karburantit mund të shërbejnë si pika fundore për një ekonomi që gjendet tashmë në prag të recensionit”.

Klan News

Lexo me shume