Prapaskenat e Chelsea-Vllaznia/ Si Broja iu fsheh mediave dhe tifozëve, forcat e sigurisë u habitën me fansat shqiptarë (VIDEO)

Femrat e Vllaznisë nuk rezistuan më shumë se 10 minuta në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve kundër Çelsit, që u luajt dje në mbrëmje në stadiumin “Kingston”.

Edhe pse në një impiant të pushtuar nga shqiptarët, pasi ishin rreth 1 mijë të tillë të pranishëm (kryesisht shkodranë që jetojnë prej kohësh në Angli), vajzat kuqeblu e patën shumë të vështirë dhe në fund humbën thellësisht 8-0.

Takimi i vlefshëm për Grupin A të Ligës së Kampioneve foli i gjithi për londinezet, që nuk i lanë asnjë hapësirë skuadrës së drejtuar nga Nikolin Leka.

Vetëm një tentativë e Megi Doçit nga goditja e dënimit që përfundoi ngjitur me shtyllën në pjesën e dytë ishte shumë pak për vajzat kuqeblu, të cilat u munduan të mbroheshin mirë, por që gjithsesi kjo nuk mjaftoi para kualiteteve që kishin anglezet në përbërje.

Sulmuesja kryesore e Çelsit, Samanta Kerr, ishte protagonistja absolute e takimit, duke shënuar plot katër gola në portën e amerikanes së Vllaznisë, Uilliams. Në minutën e 10-të ajo hapi serinë e golave, për ta vazhduar më pas në minutën e 37-të.

Pjesa e parë u mbyll 3-0 pas golit të Harder. Disa gabime në vendosje në mbrojtje u kushtuan shtrenjtë vajzave shkodrane. Edhe pjesa e dytë foli totalisht për Çelsin, me Vllazninë që e kishte të vështirë të prekte në 30% të zonës angleze. Përveç Kerr që kompletoi “pokerin”, tri herë shënoi edhe Harder, ndërsa një gol zëvendësuesja Svitkova.

FAMILJA BROJA, E GJITHA NË STADIUM – Jo vetëm babai, nëna dhe motra, por edhe vetë Armand Broja kishte ardhur për të ndjekur Vllazninë e femrave në përballjen ndaj Çelsit.

“Panorama Sport” mëson se për të mos rënë në sytë e mediave dhe gjithashtu 1 mijë shqiptarëve të pranishëm nga 3022 që kishin blerë një biletë për të ndjekur këtë ndeshje, sulmuesi u shfaq sapo loja kishte nisur.

Më aktive ishte motra e Brojës, Xhesi, e cila takoi vajzat shkodrane para dhe pas ndeshjes, ndërsa realizoi edhe një reportazh për Vllazninë, duke qenë se ka nisur rrugën e gazetarisë.

Ndërsa babai i Armandos, Xhevahiri, gjithashtu u shfaq në stadium që dy orë para. Prania e aq shumë tifozëve shkodranë të krijonte përshtypjen se ndeshja luhej në Shqipëri.

Madje për një moment, edhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, doli nga petku i zyrtarit dhe nisi të bënte tifo nga tribuna VIP.

Brohoritjet “Vllazni, Vllazni” pushtuan stadiumin nga fillimi i lojës dhe deri në fund, kur ndeshja ishte 8-0. Nuk munguan as tymueset e hedhura me ngjyrat karakteristike të klubit: kuqeblu.

Forcat e sigurisë angleze u habitën jo pak, pasi nuk e mendonin se mund të krijohej një atmosferë e tillë nga tifozët miq. Ndërkohë, në pankinën e Vllaznisë u pa edhe trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu.

Lexo me shume