Presidentja e Komisionit Evropian vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor, të enjten vjen në Tiranë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të vizitojë këtë javë Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të vizitës në Ballkanin Perëndimor, Von der Leyen do të vizitojë edhe Shqipërinë, ditën e enjte 27 tetor.

Lexo edhe: Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama: Nuk imagjinohej më parë, sot “qershi mbi tortë

Të mërkurën, 26 tetor, Ursula von der Leyen do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, të premten Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë. Vizita e presidentes së Komisionit Evropian do të përmbyllet të shtunën, ku do të vizitojë Malin e Zi.

Bashkimi Evropian ka përsëritur se lidhjet me vendet e Ballkanit Perëndimor i sheh me një rëndësi të veçantë dhe ka ritheksuar gatishmërinë që ato lidhje të forcohen.

Në të njëjtën kohë, BE-ja është shprehur e gatshme të përfshijë edhe vendet e këtij rajoni në disa politika të saj, përfshirë edhe në planet për sigurimin e burimeve të reja të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe naftë, në kohën kur BE-ja po ndërmerr masa për të zvogëluar ndikimin nga Rusia.

Për këto, si dhe për temat tjera, pritet të diskutohet në takimet që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kenë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë javë do të nisë një turne katër ditësh nëpër gjashtë vendet e këtij rajoni.

Von der Leyen në rajon do të diskutojë me bashkëbiseduesit e saj edhe për bashkëpunimin rajonal, reformat evropiane, gjetjet e raporteve të fundit të progresit dhe për sfidat e përbashkëta, siç janë edhe menaxhimi i migracionit dhe përballja me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe pasojat që ka, si për rajonin e Ballkanit, ashtu edhe për tërë Evropën, do të jetë po ashtu një prej temave që pritet të diskutohen.

Kujtojmë se ditën e djeshme, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel bëri të ditur se më datë 6 dhjetor, në Tiranë do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor./abcnews.al/

Lexo me shume