Prezantohet reforma e inspektimeve, Rama: Prioritet këshilla, e jo gjoba ndaj biznesit

Nga Enkelejda Mema
Inspektoratet do të jenë ndër institucionet e para që do t’i nënshtrohen një reforme si pjesë e luftës se re që qeveria i ka vendosur vetes për t’u përballuar me korrupsonin.
Kjo reformë tha kryeminstri Edi Rama do të nisë me zvogëlimin e numrit të tyre, shkëputjen nga ministritë dhe grupimin sipas funksioneve që deri më sot veprojnë të ndara.
“Për të dalë si një forcë e re dhe autonome. Jo e pavarur, por autonome në veprimtarinë e vet, nën ombrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm të shtetit.dhe kjo trupë nuk do të jetë një trup e cila do të ketë edhe gurin edhe arrën, se dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra nuk do të jetë një trupë që edhe do të vendos gjobat, edhe do të marrë në shqyrtim ankesën. Marrja në shqyrtim e ankesave do të bëhet edhe me pjesëmarrjen në trupa të komisioneve të apelimit, të përqafuesve të biznesit, në mënyrë transparente dhe në mënyrë sa më kolegjiale, për të krijuar një barrikadë, e cila të mos kapërcehet dot aq lehtësisht sa kapërcehet sot, ku përgjithësisht komisionet e apelimit lënë në fuqi vendimet e marra më parë nga inspektorët”, tha kryeministri Rama.
Një qasje e re do të ndiqet edhe në ndëshkimin e sipërmarrjes private kur është shkelëse e ligjeve.
“Parimi “jo gjobë në vizitën e parë”, do ta bëjë të pamundur shfaqjen në befasi të ca inspektorëve te dera dhe vendosjen e një gjobe ose mos vendosjen e saj në bazë të marrëveshjes së heshtur. Pra mes vizitës së parë pa gjobë dhe të dytës nuk mund të ketë shfaqje të befasishme atje se erdhën festat e Vitit të Ri dhe një inspektor X apo Y do të blejë një gjel deti plus, por do të pritet afati. E ndërkohë problematika do të trajtohet nga institucioni dhe do të trajtohet dhe nga institucioni qendror”, tha Rama.
Me paralajmërmin se numri i inspektimeve dhe gjobave do të ulet sipas parimit “beso shumë, kontrollo pak”,Edi Rama paralajmëroi se për bizneset që do të kapen në paligjshmëri ndëshkimi financiar do të jetë i rëndë./vizionplus.tv/

Burimi