Ish-Kryeministri Sali Berisha do të mbledhë nesër, në orën 13:30, kryesinë e Partisë Demokratike për të vendosur datën e çeljes së procesit të primareve për të zgjedhur kandidatët për kryetar bashkie për zgjedhjet e 2023.
Veç vendimit për datat e primareve, kryesia e PD-së që drejtohet nga kryedemokrati Berisha, do të miratojë edhe rregulloren e udhëzimit mbi modalitetet e pjesëmarrjes në votimet për primare të simpatizantëve. “Më 18 tetor, në orën 13 e 30, do të zhvillojmë mbledhjen e Kryesisë së PD, me këtë rend dite:
2. Zgjedhja e KOKOE
3. Hapja e garës së Primareve për pushtetin vendor, në të gjitha degët e PDSH”, thuhet në mesazhin që ka mbërritur në anëtarët e kryesisë.
Ndërkohë, para se të mbledhë kryesinë, mësohet se sot lideri demokrat, Sali Berisha, ka thirrur në takim në mesditë drejtuesit politik sipas qarqeve. Ndërkohë që nuk dihet rendi i ditës së këtij takimi.
RREGULLORJA E PRIMAREVE
Në muajin shtator, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi rregulloren e zhvillimit të procesit të primareve. Në të caktoheshin qartë kriteret dhe afatet për zhvillimin e primareve. “Seleksionimi dhe përzgjedhja e kandidatëve zyrtarë të PDSH për zgjedhjet e pushtetit vendor në Republikën e Shqipërisë kryhet nëpërmjet votimit të drejtpërdrejtë të anëtarësisë dhe simpatizantëve të PDSH, sipas parimit ‘një anëtar, një votë’, në përputhje me modalitetet, të cilat garantojnë garën e ndershme dhe konkurrimin e lirë, shanset e barabarta midis kandidatëve, si dhe kontrollin e tyre mbi mënyrën e realizimit të këtij procesi (në vijim ‘Primaret’).
Primaret organizohen në mënyrë periodike, sa herë që shpallen zyrtarisht zgjedhje për pushtetin vendor, përfshirë rastet e zgjedhjeve të parakohshme. Primaret organizohen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejte, sipas kushteve, kritereve dhe përcaktimeve të parashikuara në këtë rregullore. Kryesia e PDSH shpall me vendim datën e primareve si dhe emëron po atë ditë anëtarët e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (në vijim “KOKOE”), i cili, sipas parashikimit statusor, organizon dhe mbikëqyr procesin zgjedhor të primareve, si dhe përcakton afatet dhe modalitetet e regjistrimit të simpatizantëve.
Procesit të seleksionimit dhe përzgjedhjes paraprake nuk i nënshtrohen deputetët e Partisë Demokratike dhe kryetarët e bashkive në detyrë. Ata kualifikohen drejtpërsëdrejti për të garuar në primare. Anëtarët dhe simpatizantët e partisë ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre të votës në primare, pa asnjë dallim, në përputhje me modalitetet e parashikuara në këtë rregullore. Lista e votuesve në procesin e primareve u dërgohet degëve zyrtarisht nga Sekretariati Organizativ dhe i Burimeve Njerëzore, jo më vonë se 3 ditë para datës së mbajtjes së primareve.
Procesi i primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, si rregull, duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë nga afati maksimal ligjor që Kodi Zgjedhor parashikon për dorëzimin e kandidaturave nga Partitë dhe jo më vonë se 30 ditë nga afati maksimal ligjor për dorëzimin e kandidaturave nga koalicionet zgjedhore. Ky afat mund të reduktohet në 15 ditë përpara datës së zgjedhjeve, në rastet e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në mbyllje të primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat, i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme në një zonë të caktuar.
Në rast se asnjë nga kandidatët nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh hidhen me short. Shorti zhvillohet nga KOKOE brenda 24 orëve nga shpallja e rezultatit. Votimet për balotazhin zhvillohen 7 ditë pas datës së primareve dhe konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues kandidati i cili merr numrin më të lartë të votave të vlefshme. Pas përmbylljes së procesit të primareve dhe në përputhje me Statutin e PDSH, lista përfundimtare e kandidaturave elektorale të PDSH-së miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar, sipas propozimit të Kryesisë së PDSH-së, bazuar në rezultatin e primareve”, thuhet ne rregulloren e primareve.
Berisha: Kandidatët e bashkive të mëdha, brenda muajit tetor
Bashkitë e mëdha pritet të kenë gati kandidatët e tyre për zgjedhjet vendore deri në fund të muajit tetor. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se këtë herë opozita do t’i ketë gati shumë shpejt kandidatët, të cilët do të zgjidhen përmes procesit të primareve. Berisha tha se Partia Demokratike ka ndryshuar shumë përgjatë këtij viti, por do të duhet të bëjë përpjekje për të sjellë një tjetër qasje ndaj shoqërisë.
Për këtë kërkoi përfshirjen e sa më shumë grave në politikën aktive. Një thirrje Berisha e kishte për mësuesit, duke i kërkuar që njësoj si pedagogët, të ngrihen në protesta. Deklaratat e tij, Berisha i mbajti gjatë një konference të organizuar në funksion të zgjedhjeve vendore. “Mund të kemi kandidatët brenda muajit tetor. Të paktën kjo për bashkitë e mëdha dhe pastaj do shikohet. Megjithatë varet. Duhet të bëjmë gjithçka që simpatizantët të votojnë. Zbatimi i saj ka një rëndësi shumë të madhe dhe në respekt të përfaqësimit, ligjit që ne zbatojmë. Është një moment shumë i rëndësishëm”, u shpreh Berisha rreth një javë më parë.
“Bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të shtetit u ndalohet kandidimi në primare”
Emrat për të qenë kandidatë për kryetar bashkie në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2023 në primaret e PD-së mund t’i propozojë anëtarësia, organet qendrore të partisë ose të vetëpropozohen. Pas procesit të paraqitjes së kandidaturave do të jetë një këshill kombëtar i seleksionimit të kandidatëve mbi bazën e disa kritereve të miratuara.
Një kriter thelbësor është që kandidati të mos jetë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Po ashtu, do të ndalohen të kandidojnë edhe kandidatët që kanë qenë bashkëpunëtorë të sistemit totalitar. “Të mos ndodhen në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 138/ 2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, i ndryshuar;
Deri në datën 02.07.1991, të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror apo gjyqtar në procese politike; Të jenë aktivë në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe parimet e PDSH;
Të kenë dhënë kontribut në fushatat elektorale për Partinë Demokratike”, thuhet në rregulloren e PD. Ndërkohë, ndonëse një personalitet mund të jetë propozuar në disa bashki, ai nuk mund të marrë pjesë në më shumë se 1.
Rregullorja ka parashikuar edhe rastet kur kryetarët e degëve të PD-së duan të kandidojnë për kryetar bashkie. “Pavarësisht nëse një kandidat mund të propozohet për të garuar në më shumë sesa një zonë, nuk lejohet që një kandidat të aplikojë për t’u paraqitur njëkohësisht në më shumë sesa në një garë primare. Kur kryetari ose sekretari i degës kandidojnë në primare për zgjedhjet e pushtetit vendor, detyrat përkatëse ushtrohen nga nënkryetari i degës në përputhje me parashikimet e Nenit 40 pika 1 të Statutit të PDSH”, thuhet në Rregullore.
Çdo kandidat i interesuar për të marrë pjesë në primare duhet të paraqesë pranë Sekretariatit organizativ dhe Burimeve Njerëzore të PDSH, brenda 7 ditëve nga shpallja zyrtare e primareve, dokumentacionin e mëposhtëm: Një kërkesë formale të kandidatit ku shpreh vullnetin e tij/saj për të marrë pjesë në primare, duke specifikuar qartë zonën ku ai dëshiron të kandidojë; CV të shkurtër profesionale dhe politike të përditësuar të kandidatit.
br> br>Lexo me shume