Projekti strategjik i Benet Becit për trashëgiminë kulturore të Shkodrës_6639eb09f2cac.png

Projekti strategjik i Benet Becit për trashëgiminë kulturore të Shkodrës

Kandidati i PS-së për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci ka prezantuar projektin për konsolidimin e dy poleve kulturore për Shkodrën, të cilat, sipas tij, do të jenë nga njëra anë forcim i krenarisë dhe identitetit tonë dhe nga ana tjetër forcimi i produktit turistik.
Në një postim në rrjetet sociale, Beci shprehet se trashëgimia e pasur kulturore është në zemër të identitetit të Shkodrës.
“Kur investojmë për trashëgiminë nxjerrim në pah kulturën tonë të pasur. Nga ana tjetër ne duam që Shkodra të kthehet në një qendër kombëtare të kulturës e për këtë arsye do të krijojmë të gjitha kushtet për lulëzimin e një kulture krijuese siç i ka hije Shkodrës. Ekonomia e fortë krijon kulturë, por edhe kultura krijon ekonomi”, thekson ai.
Duke u ndalur te ky projekt, Beci sqaron se poli i qendrës së qytetit përfshin një itinerar kulturor që zbulon pasuritë e jashtëzakonshme materiale e jomateriale të qytetit me muzetë dhe pikat e rëndësishme të qytetit si Teatri “Migjeni”, Muzeu Marubi, Muzeu etnografik, shtëpia e Oso Kukës , Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Kulla e Inglizit etj.
Ai thekson se “përveç këtyre atraksioneve publike, angazhohemi për të krijuar rrjetin e shtëpive të hapura ku do të mbështesim me grante falas nga bashkia e burime të tjera  shtëpi të vjetra të familjeve  shkodrane që mund të jenë të hapura në orare apo ditë të caktuara për vizitorët për të treguar copëza historie të mrekullueshme të qytetit”.
Beci deklaron se “investime kryesore në polin e qendrës së qytetit do të jenë, rikonstruksion përfundimtar i Teatrit “Migjeni” dhe krijimi i një muzeu brenda tij si tribut për plejadën e jashtëzakonshëm që ka krijuar e sjellë ndër vite ky tempull, i vetmi në të gjithë veriun e Shqipërisë, rikonstruksion i muzeut historik-etnografik te shtëpia e Oso Kukës, mbështetje për dhjetë shtëpi të vjetra shkodrane, pjesë e rrjetit të shtëpive të hapura dhe konceptimi i muzeut të Kol Idromenos”.
Ndërsa poli i hyrjes së qytetit është poli i qytetit të vjetër me një grup atraksionesh të jashtëzakonshme kulturore e natyrore ku përfshihen Kalaja e Shkodrës dhe Muzeu Historik brenda saj, Muzeu i lundrimit, Muzeu i Liqenit “Foleja”.
Kandidati i PS-së për Shkodrën thekson se investime kryesore në polin e hyrjes së qytetit do të jenë rikonstruksioni i Muzeut Historik të Shkodrës në kala, muzeu i ri i lundrimit, një tribut i jashtëzakonshëm për historinë e lundrimit në liqen e Bunë dhe pazarit të Shkodrës si dhe muzeu i ri i Liqenit “Foleja” në Shirokë si një vlerë e shtuar e atraksionit të liqenit, por dhe e mënyrës së jetesës.
“Përveç ndërhyrjeve në infrastrukturë dhe investime për kulturën dhe institucionet e saj, rinovim e risi do të ketë edhe në menaxhimin e tyre, promovimin dhe patentimin e veprimtarive që zhvillohen në Shkodër. Për këtë arsye parashikoj ngritjen e një bordi këshillimor që ndikon në strategjinë e kulturës, turizmit dhe promovimit të qytetit, menaxhimin e institucioneve të varësisë, ashtu edhe në  ngritjen e një fondi për mbështetjen e veprimtarive nga artistë të rinj e të pavarur”, ka shtuar Beci.

Burimi