Projektligji/ Mirlinda Karçanaj e AKSHI-t kërkon rritje rroge

Nëpunësit e njësive teknike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe drejtori i përgjithshëm i saj (Mirlinda Karçanaj) mund të përfitojnë shtesë mbi pagën deri në 500 mijë lekë.
Të paktën kështu parashikon një draft i nxjerrë për konsultim nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e cila argumenton se kjo është një mënyrë për të plotësuar me staf të përshtatshëm pozicione kyçe që për hir të pagave më të ulëta se tregu mbeten të paplotësuara.
Konkretisht në nenin 34 të ligjit “Për qeverisjen elektronike” parashikohet se “Drejtori i Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së AKSHI-t, përveç pagës sipas kategorive të pagës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune deri në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë në muaj. Masa e shtesës për natyrë të veçantë për secilën kategori përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Relacionin që shoqëron këtë projektligj argumenton se kjo masë heq kufizimin që ka AKSHI për të rekrutuar staf cilësor me kushtet e tregut.
“Është parashikuar edhe përfitimi i një shtese për natyrë të veçantë pune çdo muaj. Ky parashikim vjen si rezultat i vështirësive të vazhdueshme që AKSHI has në lidhje me rekrutimin e stafit për shkak të pagave të kufizuara, të cilat nuk janë në nivelin e pagave që ofron tregu për këto detyra dhe funksione specifike. Sqarojmë se, pagat e punonjësve që përmbushin funksione të tilla specifike në fushën e teknologjisë së informacionit, janë relativisht të larta në treg. AKSHI aktualisht për shkak të kuadrit ligjor ekzistues, has pengesa për rekrutimin e ekspertëve më të mirë. Pra mungon një skemë atraktive pagash që të sigurojë përthithjen e nevojshme të ekspertizës së burimeve njerëzore dhe më tej qëndrueshmërinë e tyre në Agjenci”, citohet realcioni nga “Monitor”.

Burimi