Protestat në Iran/ Të paktën 270 të vrarë, rreth 14 mijë të arrestuar

Protestuesit në Iran u përballën me forcat e sigurisë këtë të premte në qytetin juglindor të Zahedanit, ku pas disa javësh trazirash dhe demonstratash të nxitura nga vdekja e një gruaje të arrestuar nga policia e vendit, vijon të rritet bilanci i viktimave.

Qyteti i Zahedanit, ku protestat fillimisht nisën pas akuzave për vrasjen e një vajze nga një oficer policie, është bërë rajoni më vdekjeprurës i trazirave pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.
Protestat mbarëkombëtare janë shtrirë në të gjithë Iranin, në mbi 125 qytete. Të paktën 270 njerëz janë vrarë dhe rreth 14.000 protestues janë arrestuar, sipas grupit të aktivistëve të të drejtave të njeriut në Iran.

Aktivistët thonë se vetëm në Zahedan, rreth 100 njerëz janë vrarë që nga tubimi i 30 shtatorit, që shkaktoi një reagim të dhunshëm të policisë.
Demonstratat janë bërë kërcënimi më i madh për qeverinë teokratike të vendit që nga demonstratat e “Lëvizjes së Gjelbër” të vitit 2009.
Gratë vazhdojnë të heqin hixhabet e tyre gjatë protestave në rrugë ndërsa presioni ndërkombëtar rritet mbi qeverinë e Iranit për dhunën e ushtruar ndaj demonstruesve.
Videot e protestave të së premtes në Zahedan rreth xhamisë së Makkit tregojnë përdorimin e armëve të zjarrit.
Pamjet treguan njolla gjaku në oborrin e xhamisë, ndërsa aktivistët thanë se dy persona ishin vrarë.
Autoritetet iraniane nuk u prononcuan mbi dhunën e së premtes në Zahedan, një qytet në provincën Sistan dhe Baluchistan të Iranit që ndodhet rreth 500 kilometra në juglindje të kryeqytetit të vendit, Teheranit.
Megjithatë, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA përcolli një deklaratë nga Këshilli i Sigurimit të provincës të premten duke thënë se shefi i policisë në Zahedan dhe një zyrtar tjetër policie janë shkarkuar për mënyrën se si menaxhuan protestën e 30 shtatorit.
Për herë të parë në deklaratë pohohet se policia qëlloi dhe vrau njerëzit që faleshin në atë kohë në një xhami aty pranë.
Sipas versionit të Këshillit të Sigurisë, në demonstratë pretendohej se 150 persona, përfshi burra të armatosur, sulmuan një stacion policie dhe u përpoqën ta merrnin atë gjatë protestave.
“Konflikti i armatosur dhe të shtënat nga policia, për fat të keq, çuan në plagosjen dhe vrasjen e një numri besimtarësh dhe kalimtarësh të pafajshëm, të cilët nuk kishin asnjë rol në trazira”, thuhet në deklaratë.
Të enjten në mbrëmje u zhvilluan protesta edhe në qytete të tjera. Aktivistët paralajmëruan se të tjerë protestues ishin vrarë nga forcat e sigurisë.
Megjithatë, qeveria e Iranit nuk ka dhënë një numër të përgjithshëm të vdekjeve nga protestat.
Mbledhja e informacionit për demonstratat mbetet e vështirë. Qasja në internet është ndërprerë për javë të tëra nga qeveria iraniane. Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar të paktën 46 gazetarë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Zyrtarët iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, kanë pretenduar në mënyrë të përsëritur se armiqtë e huaj të vendit qëndrojnë prapa demonstratave.

FOTO GALERI
1/8

Top ChannelLexo me shume