PS dhe PD shkelën ligjin/ Shpenzime të mëdha në zgjedhje, mungojnë të dhënat për kandidatët

Për parlamentaret e 25 prillit të një viti më parë, dy partitë e mëdha ajo Socialiste dhe Demokratike rezultojnë shkelëse të ligjit zgjedhor.

 

Nga auditi i kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve del se partia në pushtet jo vetëm ka  hedhur më shumë para por e ka tejkaluar kufirin e lejuar. Ligji përcakton se shuma e shpenzuar nuk duhet të jetë 3 herë më e madhe se mbështetja financiare që përfiton nga fondi publik për zhvillimin e fushatës zgjedhore.

 

Partia Socialiste nuk e ka respektuar dhe nga vlera maksimale që ishte 167 milionë e 480 mijë, ajo ka shpenzuar 172 milionë e 46 mijë, pra 4 milionë e 566 mijë lekë më shumë.

 

Kjo nuk është shkelja e vetme e socialistëve. Burimet e të ardhurave dhe shpenzimeve mungojnë edhe për 17 kandidatë për deputetë.

 

E njëjta shkelje ligjore është bërë edhe nga Partia Demokratike. Për 69 kandidatë për deputetë, pra për thuajse gjysmën e tyre, mungojnë të dhënat se sa para kanë shpenzuar dhe kush janë financuesit e tyre.

 

Si në rastin e socialistëve dhe të demokratëve, që në total bëjnë 86 kandidatë për deputetë mbetet enigmë se ku i gjetën paratë që bën fushatën për zgjedhjet e 25 prillit të 2021-it.

 

Nga auditi i kryer nga KQZ, partia e tretë kryesore, Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton më e rregullta.

 

Do të mbetet në vendimmarrjen e KQZ –së ndëshkimi i partive politike. Sipas ligjit zgjedhor, Partia Socialiste për tejkalim të shumës së lejuar për t’u shpenzuar gjobitet me 5 milionë lekë. Për mosdeklarimin e financimeve për kandidatët për deputetë si PS dhe PD, ndëshkimi më i ulët është 5 qind mijë dhe më i larti 1 milionë.

 

Për të dytën hera mbledhja e thirrur nga KQZ, ku PS, PD e të tjerë duhet të japin shpjegime, është anuluar. Partitë politike çuditërisht kërkojnë më shumë kohë për të dhënë llogari për një proces zgjedhor të mbyllur që në 2021-in.

 

Nga auditi, rezulton se Partia Socialiste përveç fondit publik ka shpenzuar mbi të edhe 120 milionë lekë të tjera, para këto që burojnë nga buxheti i partisë dhe nga financimet e subjekteve private.

 

Disafish më pak Lëvizja Socialiste për Integrim me 24 milionë lekë dhe më të varfrit nga forcat kryesore politike, ajo demokratike me 14 milionë lekë.

 

SHPENZIMET PËR ZGJEDHJET E PERGJITHSHME 25 PRILL

 

PARTIA SOCIALISTE                               TOTAL 176.538.087 LEKË

 

FONDI NGA BUXHETI I SHTETIT                   55.826.750

 

FONDE TE TJERA                                             120.711.337

 

SHPENZIMET PËR ZGJEDHJET E PERGJITHSHME 25 PRILL

 

PARTIA DEMOKRATIKE                            TOTAL 47.625.660 LEKË

 

FONDI NGA BUXHETI I SHTETIT                           33.318.149

 

FONDE TE TJERA                                                    14.307.511

Lexo me shume