Pse Perëndimi duhet të mposht frikën ndaj kërcënimeve bërthamore të Putinit

Presidentit rus i mbetet vetëm një opsion pas sukseseve ushtarake të Ukrainës e furnizimit me armë perëndimore, paralajmërojnë ekspertët: bomba atomike. Ky narrativ është i gabuar dhe i rrezikshëm kritikon Joscha Weber.

Frika na paralizon. Frika na dobëson. Frika na pengon të kemi një vështrim të qartë për situatat. E frika më e madhe jona është ajo para një lufte atomike, siç kërcënon sërish tani Putini. Sepse kjo do të thoshte fund i botës, apokalips. Madje frika për planetin dhe njerëzimin mund të konkretizohet edhe me shifra: Sipas sondazheve aktuale rreth 58% e amerikanëve kanë frikë se Rusia po shkon drejt një lufte atomike, në Gjermani kanë frikë rreth 49% e të anketuarve.

Një frikë që ka mbërritur prej kohësh edhe tek ekspertët, ushtarakët dhe politikanët. Një shembull: politologu dhe eksperti i Putinit, Gerhard Mangott nga Universiteti i Innsbruckut, Austri paralajmëroi në Deutschlandfunk, Radion Gjermane se Putinit në rast të fitoreve territoriale të Ukrainës dhe një furnizimi të vazhdueshëm me armë moderne nga perëndimi i mbetet vetëm “përshkallëzimi nuklear” si opsion, që do të bëhej “gjithnjë e më shumë real”, nëse Rusia kalon në defensivë.

Kush dorëzohet, humb

Çfarë është më afër logjikës në këtë gjendje se të pengosh më të keqen? Në rast nevoje edhe me lëshime ndaj Putinit? Por ky do të ishte operacioni më i keq. Nëse perëndimi i dorëzohet shantazhit nuklear të Putinit, ai do të humbte plotësisht. Ukraina do të duhej të pranonte humbje të ndjeshme të territorit, vendet europianolindore me të drejtë do të humbnin besimin tek mbështetja e BE dhe SHBA-së, dhe NATO duhet ta hidhte pa vonesë në kosh plehrash strategjinë e saj të kërcënimit.

Shkurt: Putini do të fitonte. E ai mund ta përdorte sërish këtë taktikë, konkludon historiani amerikan Timothy Snyder nga Universiteti Yale në një analizë: “Dorëzimi para një kërcënimi nuklear nuk i jep fund luftës konvencionale në Ukrainë. Ai do të rriste probabilitetin e luftërave atomike në të ardhmen.”

Frika nuk është një këshilltare e mirë, sidomos në situata të tilla. Nevojiten qëndresa, vendosmëria dhe forca për t’i rezistuar kërcënimit të bombës, në rast se duhet madje duke kujtuar edhe arsenalin që ke dispozicion. Kërcënimi duhet të jetë i besueshëm dhe konsekuent, gjithçka tjetër e inkurajon Putinin. Kjo ndodhi në vitin 2013, kur presidenti i atëhershëm, Barack Obama foli për një “vijë të kuqe” që më vonë u kalua nga pushtetmbajtësi Bashar al-Asad dhe Rusia, pa bërë që perëndimi të ndërhyjë në luftë drejtpërdrejt. Kjo ndodhi në vitin 2014, kur Rusia me shkelje të së drejtës ndërkombëtare aneksoi Krimenë dhe perëndimi qëndroi duarkryq. Të dyja këto ngjarje mund të kenë inkurajuar Putinin të guxojë për sulmin në Ukrainë.

Moska humbet shumë

Pikërisht frika është ajo që dëshiron të krijojë Putini me luftën hibride të ushtrisë, energjisë dhe dezinformimit. Megjithë shqetësimin e drejtë për një katastrofë nukleare duhet ruajtur gjakftohtësia. Kjo gjakftohtësi na thotë, se Putini që në fillim të luftës kërcënoi me bombën atomike, pa nisur hapa të tjerë të mobilizimit të forcave të armatosura nukleare. Dhe nuk ka asnjë lloj automatizmi, që një fuqi atomike e vënë me shpatulla pas murit shtyp butonin e kuq atomik. Këtë nuk e bënë as SHBA e as Bashkimi Sovjetik në operacionet e tyre dështake në Afganistan dhe Vietnam. Kjo për një arsye që harrohet shpesh: një agresor nuklear automatikisht është humbës. Ai nuk mund të bëjë asgjë me një territor të kontaminuar, atij nuk i mbeten më aleatë. Kina, India dhe shtete të tjera do t’i kthenin kurrizin Rusisë, një trend që ravijëzohet që tani. Edhe brenda vendit një goditje e tillë kundër të ashtuquajpopullit popull vëlla që duhet çliruar do t’i kushtonte legjitimitet dhe mbështetje Putinit. Pra mos kini frikë, se Putini humb vetë shumë në një rast të tillë./DW

Lexo me shume