Putin mund të përdorë armët bërthamore për të parandaluar një grusht shteti kundër tij

Nga Julian Spencer-Churchill “19FortyFive”

George F.Kennan, që artikuloi strategjinë e parandalimit, e cila u ndoq nga SHBA-ja për t’i dhënë fund në një mënyrë paqësore Luftës së Ftohtë, nuk ishte kurrë i qartë mbi hapin e fundit që duhej marrë për të garantuar që nga ajo luftë, Bashkimi Sovjetik të dilte si një regjim disi më liberal.

Lufta e Ftohtë përfundoi befas me një grusht shteti të shpejtë, të pasuar nga një shpërbërje administrative e Bashkimit Sovjetik. Një nga objektivat thelbësorë dhe të nënkuptuar të strategjisë së Perëndimit në Ukrainë, është që disfata në fushën e betejës dhe poshtërimi i Rusisë të çojë në përmbysjen paqësore të Vladimir Putinit dhe njerëzve të tij të aparatit të sigurisë, pavarësisht se ata zotërojnë një fuqi të madhe ushtarake, përfshirë armët bërthamore.

Mobilizimi dhe dërgimi i 300.000 deri në 1 milion shtetasve rusë në Ukrainë, mendohet se do ta përshpejtojë këtë rezultat. Po shtrohet pyetja:Çfarë ndodh kur një regjim i armatosur me armë bërthamore, përballet me një revoltë të përhapur brenda ushtrisë së tij, pra në pragun e një lufte civile?

Për të shmangur të vërtetën e hidhur se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një rezultat shumë fatlum, shumica e analistëve e anashkalojnë shqyrtimin e mënyrave të tjera se çfarë mund të kishte ndodhur. Dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme, pasi ngre pikëpyetje se si do të ndodhë tranzicioni i pashmangshëm i regjimit në Korenë e Veriut dhe Kinë, që të dyja të armatosura me armë bërthamore.

Garda e Kremlinit ishte një ndërmjetëse e rëndësishëm e korridoreve të pushtetit pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953. Ndërkohë përfshirja e KGB-së ishte vendimtare në shkarkimin e Nikita Khrushchev nga Leonid Brezhnev në vitin 1964, por edhe rrëzimin e Mikhail Gorbachev në vitin 1991.

Megjithatë, duke pasur parasysh bashkëpunimin e Putinit me FSB (Shërbimi Federal i Sigurisë), një grusht shteti ka më pak gjasa të vijë nga rrethi i tij i brendshëm, dhe më shumë të vijë nga një brigadë ose komandanti i ndonjë divizioni të ushtrisë.

Refuzimi i ushtrisë për të mbështetur një operacion të KGB-së kundër Boris Yeltsin me një ekip komandosh në vitin 1991, dhe veprimet e saj kundër grushtit të shtetit në tetor 1993 nga Alexander Rutskoy, tregojnë se ajo është një ndërmjetëse vendimtare e pushtetit kur interesat e veta nuk përputhen me ato të shërbimeve të inteligjencës.

Putin duhet të jetë i vetëdijshëm se garnizonet ushtarake, ishin kyçe në shtypjen e kryengritjes së dështuar ruse të viteve 1905-1907, dhe ishte një revoltë në ushtrinë ruse, ajo që e rrëzoi Carin Nikolla II në vitin 1917. Manovrat ushtarake të Putin, pritet të kenë një efekt negativ tek ushtria, në rast se ato nuk i përmbushin pritshmëritë e saj nacionaliste.

Në monografinë e tij më të rëndësishme të vitit 1981 “Më shumë mund të jetë më mirë”, politologu Kenneth Ëaltz argumentoi se përhapja globale e armëve bërthamore do të forcojë paqen nëpërmjet efektit të dukshëm parandalues ​​të armëve bërthamore. Ky është gabimi i tij i parë, pasi udhëheqësit e Rusisë po kërkojnë qartazi ta përdorin arsenalin e tyre bërthamor për të shmangur ndërhyrjen e jashtme në sulmin konvencional të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ky besim strategjik tek armët bërthamore, si një mburojë kundër aleatëve demokratikë të Tajvanit, po nxit gjithashtu edhe shtimin e shpejtë të armëve bërthamore nga Kina, përfshirë një nëndetëse me 8 raketa balistike të klasit “Jin” dhe 300 kapanone të lëshimit të raketave.

Po ashtu Waltz argumentoi se zhvillimi i armëve bërthamore, kërkon një nivel pjekurie institucionale, që më pas i ndërgjegjëson këto regjime mbi efektin parandalues ​​të armëve bërthamore. Ky është gabimi i dytë i Waltz. Regjimi i Aparteidit në Afrikën e Jugut arriti të prodhojë 6 bomba bërthamore me një program që mbështetej tek një bazë me përdorim të dyfishtë dhe me një sipërfaqe vetëm 900 metra katrorë.

Koreja e Veriut ka arritur të prodhojë bomba bërthamore dhe raketa balistike, edhe pse ka sofistikimin administrativ të një burgu. Tani e dimë se është e mundur që edhe shtetet që janë mbetje të perandorive shumë-etnike, të kenë qasje të sofistikuar tek teknologjia bërthamore edhe pa pasur institucione të qëndrueshme qeveritare si Jugosllavia, Rusia, Pakistani, Irani, Kina, Indonezia dhe Turqia.

Waltz pretendonte se armët bërthamore favorizojnë fuqimisht status quo-në, bazuar në argumentin e Bernard Brodie se nuk ka mbrojtje të besueshme ndaj armëve bërthamore që përdoren për goditjen e dytë. Gabimi i tretë i Ëaltz është mosmarrja parasysh e ndikimit të këtyre armëve në kontekstin e një lufte civile, ku ka stimuj të fortë për veprime sulmuese.

Në luftërat civile, kontrolli i territorit barazohet me burimet për rekrutimin dhe taksimin, dhe ekzistenca e enklavave të rrethuara nxit sulmin. Për më tepër, vendosja e armëve bërthamore synon të maksimizojë aftësinë e tyre për goditjen e dytë kundër vendeve rivale. Por në një luftë civile, vendet me armët bërthamore vuajnë nga dilema “Përdori ose do Humbasësh”,
e cila çon në një presion për përdorimin e tyre të hershëm.

Po ashtu në luftërat civile ka më pak gjasa të ketë kufizim moral, krahasuar me konfliktin ndërshtetëror dhe ligjet e luftës, pasi luftërat civile përkojnë zakonisht me kolapsin institucional dhe moral të një shteti. Siç shpjegohet nga teoricieni politik Edmund Burke, dhuna e revolucioneve shkakton shpesh një shkatërrim vetë-konsumues të institucioneve, i cili e përjetëson dhunën edhe ndaj civilëve.

Është kjo arsyeja pse humbin më shumë jetë në konfliktet brenda-shtetërore sesa në luftërat midis vendeve. Revolucioni Kulturor Kinez i viteve 1966-1976 ishte më shumë një kryengritje rinore brenda elitës, sesa e shkaktuar nga një kolaps aktual institucional, ndaj Pekini e mbajti nën kontrollin e ngushtë arsenalin e vet bërthamor.

Manifestimi i hershëm i një revolte ushtarake kundër Putinit, ka shumë të ngjarë të shpërthejë nga brigadat dhe oficerët e divizioneve të shpartalluara në Ukrainë, të cilët ndodhen larg vijës së frontit në bazat pranë qyteteve Krasnodar, Rostov-on-the-Don, Belgorod, Kursk dhe Bryansk.

Kryengritja mund të motivohet nga një komandant që kërkon një regjim më liberal, apo nga ai që ofron pak më shumë se sa një zgjidhje për statuskuonë në Ukrainë. Por një grusht shteti mund të prodhojë edhe diçka më të keqe:një fraksion hiper-nacionalist mund të synojë të zëvendësojë Putinin me një president ushtarak.

Ose më keq akoma, të shkaktojë një vazhdë grushtesh të njëpasnjëshme ushtarake si ato që ndodhën dikur në Vietnamin e Jugut. Mundësia e fundit që Putini të përdorë armë bërthamore është kur divizione të tëra të ushtrisë ruse (korpuset e barasvlershme me 30.000 ushtarë) të nisin të rebelohen, dhe përpara se revolta të përhapet në garnizonet përreth Moskës dhe në selinë qendrore.
Drejtoria e 12-të i ruan armët bërthamore në 12 objekte dhe 35 baza të tjera, edhe pse zotëron vetëm rreth 2000 armë jo-strategjike të dislokueshme në sistemet raketore taktike si Iskander dhe avionët, duke mos përfshirë 200 avionë bombardues bërthamorë të vendosur në bazat ajërore.

Në këto rrethana të tjerët jashtë Rusisë, si SHBA-ja dhe NATO-ja, kanë shumë pak gjëra në dorë, përveçse të përsërisin vazhdimisht dhe hapur gatishmërinë e aleancës për t’u kundërpërgjigjur nëse armët bërthamore kërcënojnë të përhapet përtej kufijve të Rusisë.

*Marrë me shkurtime

**Shënim: Dr.Julian Spencer-Churchill, profesor i asociuar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Konkordia në Kanada

/abcnews.al/

Lexo me shume