Rama me fermerët në Fier: Synojmë 500 milionë Euro eksporte fruta dhe perime

Shqipëria synon që të përfitojë 500 milionë Euro nga eksportet e frutave dhe perimeve. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me fermerët në Fier.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se falë iniciativave të qeverisë, bujqësia shqiptare është rritur dhe puna është dyfishuar.

“Ne synojmë 500 milionë Euro eksporte nga 130 milionë Euro që eksportonim kur ne nisëm këtë rrugë. Po synojmë të arrijmë këtë vit gjysmë miliard Euro eksporte frutash, eksporte perimesh, eksporte produktesh të punës më tokën, të një Shqipërie që sot ndryshe nga çfarë tregohet në pasqyrat e deformuara të televizorëve pas të cilave fshihen pronarë që shantazhojnë qeverinë për të përfituar në mënyrë indirekte para, tender, leje ndërtimi, është një Shqipëri që punon dyfishin që punonte kur ne nisëm detyrën. Ne i vumë në dispozicion atë gjë që vetëm shteti mund ta vendosë në dispozicion, ujin.

Sot ne ndihemi mirë sepse shikojmë që bujqësia, fshati shqiptar ka të ardhme, krejt e kundërta e asaj që predikohet”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për dhënien e naftës falas për fermerët, për të cilën tha se kjo politikë u ka ardhur në ndihmë dhe ka ndikuar në rritjen e prodhimit vendas të produkteve bujqësore. /tvklan.al

Lexo me shume