Rama në Athinë/ Alizoti: Nuk ka asnjë element për të qenë krenar, shqiptarët kanë lënë pleqtë e tyre dhe lajnë pleqtë e Evropës. Salianji: Rama bëri show!_66425b646acd0.jpeg

Rama në Athinë/ Alizoti: Nuk ka asnjë element për të qenë krenar, shqiptarët kanë lënë pleqtë e tyre dhe lajnë pleqtë e Evropës. Salianji: Rama bëri show!

Deputetët e Partisë Demokratike Ervin Salianji dhe Tomorr Alizoti kanë marrë pjesë ditën e sotme në një takim me simpatizantët në qytetin e Durrësit.Ndër të tjera ata komentuan edhe vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë, ku takoi emigrantët shqiptarë.
Salianji gjatë fjalës së tij u shpreh se Rama mori me vete në Greqi të gjithë kryebashkiakët, drejtuesit e administratës dhe banditët, që sipas tij janë përgjegjësit kryesore për largimin e shqiptarëve. Ai solli edhe  shembullin e drejtorit të Teatrit në Fieri, i cili ka deklaruar se “i kishin çuar të gjithë në Greqi për bukën e gojës”.
“Për çfarë shkuan të gjithë kryetarët e bashkive në Athinë, për çfarë shkuan në Athinë të gjithë drejtuesit e administratës publike, për çfarë shkuan banditët që i shërbejnë Ramës si këtu dhe atje?! Për ti treguar qytetarëve që janë larguar nga kjo qeverisje. Fytyrat e tyre janë ata që kanë përzënë familjarët tuaj, nipërit dhe mbesat, prindërit apo fëmijët. Janë ata njerëz që me kontributin në korrupsion apo vjedhje, në prishjen e konkurrencës, në padrejtësitë që bëjnë kanë bërë të mundur që 700 mijë shqiptarë të largohen nga Shqipëria. E patë si Rama u detyrua që të merrte kryebashkiakët nga Shqipëria, drejtorët nga Shqipëria, administratën nga Shqipëria që në mënyrë emblematike u përmblodh nga drejtori i teatrit të Fierit. E patë si tha në Athinë, që na kanë sjellë këtu, është zbrazur gjithë Fieri për të ardhur në Athinë dhe këtu vijmë për bukën e gojës. Është kriminale që të përdoresh me paratë e qytetarëve shqiptarë administratën e cila duhet të jetë në shërbim të qytetarëve shqiptarë për të bërë shou dhe për të mos i thënë asgjë”, tha Salianji.
Ndërkohë edhe deputeti  Alizoti është shprehur për takimin se sot “shqiptarët kanë lënë pleqtë e tyre këtu për të larë pleqtë e Evropës”
“Kemi dëgjuar shprehjen që jemi krenarë që jemi shqiptarë, këtë po e thotë edhe kryeministri që del me flamur, daulle, me këngëtarë, mban ahengje, dikur i thoshin edhe çengie dhe feston në rrugët e botës. Po për çfarë duhet të festojnë shqiptarët dhe të jenë krenarë shqiptarët? Të jenë krenarë që po ikin të lajnë botën?! Si mund të jesh krenar si komb kur nuk mban dot në shtëpi fëmijën tënd, si mund të jesh krenar kur ti nuk ushqen dot dhe nuk mundëson dot rininë tendë?! Ku qëndron krenaria? Krenari të kthyer në folklor?! Për mua më e dëmshme për Shqipërinë është folklori kombëtar. Cdo të thotë?
Të jesh patriot dhe kombëtar duhet ta kishe Shqipërinë më të zhvilluar, me ekonomi të lartë dhe jo ta kishe pastrues në Evropë, jo të dërgojë mjekët dhe infermierët rrugëve të botës që të hanë një çapë bukë! Kjo është Shqipëria sot. Edhe në komunizëm një tipar kishte që Shqipëria lulëzonte, por lulëzonte vetëm blloku, por gjysma e Shqipërisë ishte pa bukë, një pjesë ishte në kampet e përqendrimit. Të nderuar qytetarë, sot elementi më i rrezikshëm është ky folklori kombëtar, këndoni, tundni flamurët dhe në fund ikni nga Shqipëria dhe lani Evropën, lani pleqtë e Evropës, lani pleqtë tuaj dhe lani pleqtë e tyre, rrini pa bukë në Shqipëri dhe hani një çapë bukë jashtë. Kjo është Shqipëria sot. Nuk ka asnjë element për të qenë krenar”, u shpreh deputeti Alizoti.

Burimi