Rama, skenë ndërkombëtare për teater shqiptar

Belina BUDINI*

Një media-event teatral si ai i kryeministrit Edi Rama në Ansamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës në Strazburg nuk i drejtohet sallës ku mbahet dhe as një audience deputetësh të huaj, që dukeshin të hutuar nga gjithë ai vrull nacionalist në podium. Megjithatë suksesi i atij eventi për konsum kombëtar u garantua pikërisht nga përzgjedhja e asaj mizanskene ndërkombëtare. Mbulimi mediatik që mori fjalimi i tij në Shqipëri dhe Kosovë konfirmon pikërisht këtë. Të mikluara, audiencat nacionaliste nuk i vonuan brohoritjet e pritshme për gjellën e tyre të preferuar: fjalimet e fryra denonciatore. Ndaj media-eventi kryeministror u kurorëzua me sukses të menjëhershëm anëve tona.

Nuk mund të thuhet që impakti qe ndopak i ngjashëm në arenën ndërkombëtare. Fakti që dy ditë pas fjalimit nuk ka asnjë rresht në asnjë media të huaj apo ndërkombëtare për këtë “ngjarje” flet qartë për këtë. Të vetmet media të pranishme në sallën ku kryeministri kishte organizuar pritjen dhe mbajtjen e eventit të tij, ishin ato shqipfolëse, ndërsa ngjarja u transmetua “live” dhe u raportua gjerësisht si event special prej tyre. Gazetarët që e shoqëruan kryeministrin me ftesë të këtij të fundit, patën kësisoj mundësinë ta përcillnin eventin e mbajtur posaçërisht për ta drejtpërdrejt nga Strazburgu. Mision i përmbushur!

Nga ana tjetër, performanca e fjalimit në vetvete ishte markuese, për nga tonaliteti i rrëfimit, përmbajtja dhe kohëzgjatja. Edhe pse në dukje pa lidhje me kohën dhe vendin e përzgjedhur, për audiencën e synuar të gjitha këto ishin të mirëtargetuara. Me efekte të pamohueshme, të atypëratyshme, edhe pse sa afatgjata do të duhet të presim për të parë! Të paktën këtyre anëve tona ku ende rezonon shprehja: “çudia më e madhe tre ditë zgjat”. Deri në servirjen e eventit të radhës për media, të ambalazhuar po kaq mirë si akt i suksesshëm komunikimi.

Tek e fundit, nuk mund të mohohet që edhe kësaj jave, axhendën e aktualitetit politik e dominoi pikërisht kjo ngjarje e orkestruar për konsum mediatik dhe rrjetesh sociale, përfshirë edhe këtë rubrikë. Ndonëse java politike nisi me pritshmëri për zhvillime të rëndësishme në kampin opozitar, paqartësia e tyre ia la vendin edhe një herë bujarisht marketingut nacionalist të qeverisjes. Axhendën e mediave e përcaktoi kësisoj sërish fjalimi pan-shqiptar i kryeministrit, të cilit duket se sondazhet i tregojnë se qeveriset më bindshëm nga jashtë sesa nga brenda.

*Dekane e UET

Marrë nga rubrika “Mediapolis” në Liberale.al

Lexo me shume