Reali pret në mbrëmje Alaveshin, por Ançeloti e ka mendjen te finalja e Champions-it_66435acb96c20.jpeg

Reali pret në mbrëmje Alaveshin, por Ançeloti e ka mendjen te finalja e Champions-it

Finalja e Ligës së kampioneve kundër Dortmundit ka zënë thuajse të gjithë konferencën për shtyp të Ançelotit para ndeshjes sonte në mbrëmje në La Liga kundër Alaveshit.
Kur vjen puna te finalja diskutimi kryesor mbetet porta e Realit të Madridit. Ançeloti është mes një dileme jo fort të lehtë. Atij i duhet të zgjedhë ndërmjet Androj Lunin, njeriu që e ka sjellë Realin deri në finale dhe Tibo Kurtuasë, që pas 9 muajsh është kthyer gati. Trajneri Ançeloti s’ka dashur të japë shumë hollësi për zgjedhjen e tij, por ka shtuar se vendimin do ta marrë javën e ardhshme.
“Nuk e kam marrë një vendim. Me shumë mundësi do të më duhet të zgjidh çështjen e portës javën e ardhshme. Unë bie plotësisht dakord me të gjithë ata që mendojnë se Lunin ka bërë një sezon të mrekullueshëm. Por nga ana tjetër kemi dhe Kurtuanë që është portieri më i mirë në botë, nëse është në formë optimale”, tha Ançeloti.
Tekniku i “Los blancos” ka vijuar të flasë për finalen, duke e cilësuar periudhën deri më 1 qershor si një pjesë e muajit të mjaltit.
“Jemi në një situatë të favorshme tani që kemi zgjidhur gjithçka në La Liga. Po më duket vetja si në një muaj mjalti deri në finalen e Ligë së Kampioneve. E duam dhe atë trofe natyrisht. Gjithë fokusi ynë do të jetë aty”, tha Ançeloti.

Burimi