Reduktimet e prodhimit të naftës nga OPEC+ mund ta çojnë botën në recesion, thotë IEA

Vendimi i grupit prodhues të naftës OPEC+ javën e kaluar për të reduktuar prodhimin ka rritur çmimet dhe mund ta shtyjë ekonominë globale drejt një recesioni, tha të enjten Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IAE).
“Përkeqësimi i vazhdueshëm i gjendjes ekonomike dhe rritja e çmimeve që erdhi si pasojë e planit të OPEC+ për të ulur ofertën, po reduktojnë kërkesën botërore për naftë”, tha agjencia me qendër në Paris, e cila përfshin Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera me konsum të madh të naftës.
“Në kushtet e presioneve të vazhdueshme inflacioniste dhe rritjes së konsiderueshme të normave të interesit, çmimet akoma më të larta të naftës mund të jenë shtysa e fundit për një ekonomi globale që po shkon tashmë drejt pragut të një recesion”, shtoi organizata në raportin e saj mujor për naftën.
Ky paralajmërim nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë nxjerr në pah marrëdhëniet e tensionuara me Arabinë Saudite, eksportuesen më të madhe në botë të naftës dhe liderin de fakto të OPEC-ut.
Presidenti i SHBA, Joe Biden, u zotua se do të ketë disa “pasoja” të cilat ai nuk i specifikoi, lidhur me marrëdhëniet me Arabinë Saudite pas lëvizjes së saj në OPEC+, por Riadi hodhi poshtë kritikat dhe tha se kjo masë nuk ishte politike dhe kishte për qëllim balancimin e tregut dhe frenimin e paqëndrueshmërisë.
IEA tha se reduktimi real i furnizimit mund të jetë rreth 1 milion fuçi në ditë dhe jo 2 milion fuçi, siç është shpallur nga blloku OPEC+, i cili përfshin grupin e prodhuesve dhe aleatët e tjerë, të tillë si Rusia.
Kapacitetet e kufizuara, të cilat dëmtojnë prodhimin tek anëtarët e tjerë të OPEC-ut, nënkuptojnë se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të përbëjnë shumicën e reduktimeve të naftës, tha IEA, ndërsa sanksionet e reja të G7 dhe të Bashkimit Europian ndaj Rusisë mund të vështirësojnë akoma më tej furnizimin global me naftë.
BE-ja miratoi këtë muaj një plan nga grupi i vendeve më të pasura, G7, për të vendosur një kufi për çmimet e eksporteve të naftës ruse, si pjesë e një grupi të ri sansionesh globale komplekse që synojnë të privojnë Moskën nga këto të ardhura për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë.
Sidoqoftë, çdo ndërprerje e madhe në furnizimet me naftë ruse edhe për vendet e tjera blerëse që nuk janë pjesë e BE-së apo e G7-s, mund të rrisë çmimet në mbarë botën dhe të shkaktojë pasoja ekonomike për qytetarët e vendeve që kanë aplikuar sanksionet, të cilët po përballen aktualisht me inflacionin e lartë dhe rritjen e kostove të jetesës./ Reuters

Burimi