Rezoluta anti-korrupsion e paraqitur nga Rama, reagon delegacioni i BE

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka reaguar për Euronews Albania në lidhje me rezolutën anti-korrupsion të paraqitur nga kryeministri Rama të martën e kaluar.
Në komentin e dhënë, delegacioni i BE-së thekson se mirëpret dhe mbështet çdo propozim që çon më tej avancimin e reformave për shtetin e të drejtës në vend.
Gjithashtu në reagim theksohet se çdo veprim nuk duhet të cënojë parimin e pakthyeshmërisë së reformës të ndërmarrë në vitin 2016.
Delegacioni i BE nënvizon se nisma duhet të jetë në përputhje me angazhimet që Shqipëria ka ndërmarrë për të avancuar në procest integruese.
Reagimi i plotë i delegacionit të BE-së:
Delegacioni i BE-së mirëpret çdo nismë për të çuar më tej proceset e arritjeve të reformave të Shqiperisë për qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe antikorrupsionin, duke u mbështetur te reformat dhe arritjet e mëparshme, si dhe në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit.
Ne theksojmë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.
Për sa i përket sektorit të drejtësisë, vërejmë se parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016.
Theksojmë se është me rëndësi jetike që procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, përfshirë edhe shoqërinë civile.
Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, BE-ja po ofron ndërkaq asistencë të madhe për Shqipërinë në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, si dhe është e gatshme të rrisë mbështetjen e vet, sipas rastit.
 
j.l./ dita

Burimi